Qazim Rrahmani dorëzon dorëheqjen nga pozita e zëvendësministrit në MFPT

Zëvendësministri në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Qazim Rrahmani, i ka dorëzuar kryeministrit Kurti, dorëheqjen e tij nga kjo pozitë.

Lajmin e ka bërë me dije vetë Rrahmani përmes një njoftimi në Facebook.

Sot unë Qazim Rahmani kam kërkuar nga Kryeministêri Kurti , lirimin nga detyra e zv.Ministërit tê MFPT-së. Arsyja e këtij vendimi është që subjekti im PAI ka parë të arsyeshme që kontributin im të jetë në një pozit tjetër politike andaj kontributi dhe angazhimi im nuk do të mungoj në të mirë të komunitetit dhe subjektit politik PAI-së. ju falenderoj pêr mirëkuptim”, ka shkruar ai.

Rrahmani ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Për këtë vepër penale, e cila hyn në kuadër të veprave penale të korrupsionit zyrtar, Rrahmani ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, me pëlqimin të tij, ky dënim me burg i ishte zëvendësuar pastaj në dënim me gjobë në lartësi prej 3,000 euro. Po ashtu, Rrahmani ishte obliguar që t’ia kthejë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) edhe shumën prej 4,858.89 euro.

Ndaj aktgjykimit të Themelores, Rrahmani nuk ishte ankuar fare në Gjykatën e Apelit.

Rrahmani akuzohej se për më shumë se një vit, derisa ishte në pozitën e zv/ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, kishte shpenzuar mbi 12 mijë euro nga kredit-kartela, e cila dedikohej enkas për zyrtarët e lartë qeveritarë.

Sipas aktakuzës, nga shuma e përgjithshme e cila ishte tërhequr, MPMS-së, Rrahmani ia ka kthyer 7.504.51 euro, ndërsa dëmi aktual ndaj MPMS-së arrin vlerën prej 4.858.89 euro.

Read Previous

Ambasada e SHBA-së mbështet vendimin e Qeverisë për masat antiCOVID

Read Next

Banorët e Dolit pastrojnë fshatin me iniciativë individuale