Qatar 2022 – Botërori teknologjik

Botërori i vitit 2022 në Katar do të jetë një edicion si asnjë tjetër. Një turne unik, i cili do të shërbejë si vija ndarëse e asaj që ka qenë futbolli dhe asaj se çfarë pritet të jetë në të ardhmen. Ky është eventi nëpërmjet të cilit FIFA synon të ndryshojë rrënjësisht futbollin.

Pasi trashëgoi një event të rrethuar nga polemikat, akuzat për ryshfet dhe favorizimet, nga të cilat nisi edhe rënia e Sepp Blatter, presidenti i ri, Giani Infantino mendoi që imazhin negativ të krijuar rreth Katar 2022 ta shndërronte në pikënisjen e një ndryshimi epokal të Kupës së Botës.

Madje, kreu i FIFA-s këmbënguli që çdo ndryshim i madh teknologjik, në lojë apo në organizim të realizohej menjëherë. Mes risive që pritet të aplikohen, mes atyre që janë studiuar dhe testuar, apo ndryshimeve që janë në fazë konceptuale dhe mund të vendosen në praktikë, në Lindjen e Mesme do të përjetohet një aktivitet vërtetë unik dhe që mund të shërbejë si pararojë për të ardhmen e futbollit ndërkombëtar.

Thjesht periudha kur do të zhvillohet Kupa e Botës, përbën një rast unik në histori. Asnjëherë më parë, asnjë turne nuk ishte luajtur në dimër.

Mes polemikave të shumta rreth zgjedhjes së një vendi që shpesh është kritikuar për politikat e përdorura dhe për të evituar anulimin e vendimit, që do të cilësohej skandaloz në gjysmën e botës, u arrit një kompromis: ndeshjet do të luhen në pjesën më të freskët të vitit, ndërmjet muajit nëntor dhe dhjetor.

Ajo është koha kur klima është më e përshtatshme për futbollistët dhe tifozët. Vendimi nuk mori parasysh përmbysjen e padëgjuar të kalendarit për kampionatet kombëtare apo kupat e Europës. Të paktën për vitin2022, gjithçka do të vihet në shërbim të Botërorit. Madje, edhe vendet si Shqipëria apo Italia, që turneun do ta ndjekin si spektatorë të thjeshtë nga televizori, do të bëjnë një pauzë të detyruar të ligave, e cila zgjat më tepër se një muaj.

Falë Kupës së Botës, vendi i gadishullit arab është përqendruar gjithmonë e më tepër drejt inovacioneve teknologjike. Ekosistemi i kompanive që ofrojnë risi është zhvilluar me shpejtësi marramendëse, i mbështetur nga QSTP, e njohur ndryshe edhe si Parku i Shkencës dhe Teknologjisë në Katar. Eventi më i rëndësishëm i futbollit ka shërbyer si mundësia më e mirë që të gjithë risitë të prezantohen në arenën ndërkombëtare.

ViaVii i lejon vizitorëve që do të jenë të pranishëm në Katar për Kupën e Botës të zgjedhin mes 100 eksperiencave më interesante, që do të bëjnë gjatë periudhës së qëndrimit. Ky sistem u krijua në Jordani, por u ble dhe përshtat menjëherë nga Parku i Shkencës dhe Teknologjisë në Katar, për ti mundësuar turistëve “një eksperiencë sa më domethënëse”.

Platforma shërben për ti lidhur njerëzit me ata që propozojnë eksperiencat që duhet medoemos të mos humben, lejon pagesat online dhe përqendrohet kryesisht te përjetimi i eksperiencave karakteristike të botës arabe. ViaVii është një program i vlerësuar si fitues mes shpikjeve të reja. Ai ka investuar në zhvillimin e projekteve, që falë inovacionit dhe teknologjisë, përmirëson edhe eksperiencën e ndeshjeve të futbollit.

Një pjesë e rëndësishme e punës është përqendruar edhe që tifozëve tu garantohen zgjidhje për problemet që do të kenë, si edhe ta bëjë Katarin sa më të aksesueshëm për të gjithë turistët gjatë periudhës së tyre të qëndrimit.

Një tjetër risi është EMMA. Bëhet fjalë për sistemin e menaxhimit të përmirësuar nga inteligjenca artificiale, i cili lejon konsumin optimal të energjisë elektrike në aeroporte. Ky sistem është aktiv në aeroportin Hamad International të Doha-s, aty ku vetëm në periudhën e Kupës së Botës priten më tepër se 2 milionë pasagjerë.

Përdorimi sa më efikas i pikave kuçe të hyrjes dhe i energjisë është tejet i nevojshëm, sepse vetëm gjatë muajit të Botërorit, Katari do të presë më tepër turistë nga sa ka pritur në të gjithë historinë e vet si shtet.

Për të përballuar sa më mirë fluksin e njerëzve, Katari ka investuar miliarda në infrastrukturë. Duke nisur nga metroja për të shkuar deri te mjetet që drejtohen në mënyrë autonome.

Të gjitha këto investime karakterizohen nga dizajni luksoz, por edhe teknologjia për të bërë që godinat, në të cilat do të akomodohen turistët të jenë inteligjente.

SkyStruct është një tjetër sistem inovativ. Ai bën të mundur koordinimin e të gjithë pjesëve të ndërtimit të një godine të re, nga planifikimi deri te menaxhimi i kontabilitetit.

Skora në anën tjetër është aktive në sektorin e teknologjisë sportive. Bëhet fjalë për një aplikacion të zhvilluar në Katar, i cili synon ta bëjë sa më gjithëpërfshirëse karrierën e futbollistëve, për të ndihmuar në mënyrë të veçantë një realitet sportiv periferik si ai i botës arabe.

Inteligjenca artificiale e përdorur në këtë aplikacion i ndihmon futbollistët e ardhshëm të lidhen me menaxherët dhe njerëzit kryesorë të botës së futbollit.

Hayfa Al Abdulla, drejtoresha e inovacionit në Parkun e Shkencës dhe Teknologjisë në Katar shpjegoi sfidat të cilat kërkojnë zgjidhje, përpara se të prezantohen idetë e reja.

“Duhet të nisemi nga sfidat me të cilat përballet shoqëria jonë, për të siguruar më pas zgjidhjet më të përshtatshme. Në momentin që përcaktojmë problemet me të cilat duhet të përballemi, i lejojmë edhe kompanive që të propozojnë idetë e tyre”, tha Hayfa al Abdulla, drejtoresha e inovacionit në QSTP.

Me pak fjalë, Botërori i vitit 2022 në Katar nuk do të jetë vetëm sport. Në tërësinë e vetë, turneu do të jetë i rrethuar nga teknologjia: nga momenti kur turistët do të zbarkojnë në Doha, gjatë shëtitjeve në rrugë dhe në stadiume, synimi është që të përjetojnë një pjesëz të së ardhmes.

Risitë nuk mungojnë as për sa i takojnë organizimit të ndeshjeve. Në tentativën për ta bërë turneun sa më joshës për sponsorët, FIFA ka prezantuar edhe ide të tjera. Produkti i futbollit nuk do të lidhet vetëm me atë që ndodh në fushë apo me tifozët në tribuna. Propozimi më i fundit i miratuar nga konfederata botërore e futbollit ishte që gjatë Katar 2022 të tregohej edhe çfarë ndodh pas kuintave.

Për këtë arsye, FIFA vendosi të pozicionojë kamera në dhomat e zhveshjes së skuadrave. Një praktikë jo e panjohur edhe në disa liga të mëdha europiane, por që do të jetë një risi absolute në nivel ndërkombëtar.

Imazhet direkte nga ajo që ndodh nga skuadrat pjesëmarrëse në Kupën e Botës do t’ i serviren tifozëve në mbarë globin, por mbi të gjitha do të shërbejnë për të pasuruar paketën televizive.

Me pak fjalë nuk do të ketë më sekrete. Gjithsesi imazhet që vijnë nga dhomat e zhveshjeve do të menaxhohen me kujdes. Kjo do të thotë që gjatë transmetimeve, pamjet do të pasqyrohen në mënyrë të tillë që të mos ndikojnë në punën dhe taktikat e trajnerëve dhe duke respektuar privatësinë e sportistëve.

Për të shmangur kostot e tepërta financiare, FIFA ratifikoi edhe vendimin që konferencat për shtyp të të gjitha skuadrave pjesëmarrëse në botëror të zhvillohen vetëm në një vend. Trajnerët dhe lojtarët do të dalin përpara mediave 24 orë para se të luajnë, vetëm në Qendrën e Konventave Kombëtare të Katarit. Kështu synohet që të menaxhohen edhe më mirë daljet publike të skuadrave.

Tetë stadiumet që do të mirëpresin ndeshjet e Botërorit 2022 janë të gjithë modernë dhe me pamje futuriste. Por, një tjetër kufizim lidhet me faktin se skuadrat nuk do të lejohen të hyjnë në impiantet ku do të luajnë ndeshjet. Kjo do të ndodhë pavarësisht faktit se deri më tani, çdo skuadër ka të drejtë që të zhvillojë një stërvitje zyrtare për tu familjarizuar me terrenin e lojës.

Në Katar situata ndryshon! Skuadrat do ta kenë të ndaluar të shkelin në stadium deri në ditën e ndeshjes, për të mbrojtur tapetin e fushës. Kujdesi kaq i madh lidhet me kushtet ekstreme të motit, në mënyrë që bari të mbahet në gjendje perfekte.

Përpos të gjithë risive që propozon, Botërori në Katar mbetet turneu më i diskutuar dhe vendimi më i debatuar në historinë e futbollit botëror. Jo vetëm prej faktit se do të luhet në dimër, me finalen të përcaktuar më 18 dhjetor 2022.

Përmbysja e të gjithë sistemit aktual, që funksionon prej dekadash, është një mister të cilin janë munduar ta zgjidhin shumë analistë e media botërore.

Ndërprerja e të gjithë kampionateve në Europë, Amerikë e Azi në kulmin e sezonit; organizimi i turneut më të rëndësishëm botëror nga një shtet i vogël arab pa tradita sportive, pa infrastruktura të përshtatshme dhe në kushte klimaterike ekstreme është një histori e komplikuar që nuk lidhet vetëm me sportin.

Bëhet fjalë për luftë gjeo-politike, rezerva të energjisë ,terrorizmin, fondet e investimit që shpenzojnë miliarda dollarë kudo në botë, fuqi mediatike, revolucion dhe Jihad, yje të futbollit e teknologji, emigrim dhe mungesë të demokracisë.

“Të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e tyre në nivel ndërkombëtar, është një prej prioriteteve të FIFA-s. Ne jemi të parët, që në statutin tonë kemi vendos si kusht, që çdo vend i cili synon të organizojë evente madhore duhet të respektojë të drejtat e njeriut dhe nëpër eventet tona apo kudo që shkojmë nëpër botë promovojmë këtë çështje të ndjeshme. Kur vjen fjala për Botërorin në Katar, duhet të jemi të ndershëm që janë regjistruar mjaft përmirësime. Janë përmirësuar edhe kushtet e punës për ndërtimin e strukturave. Nuk ka dyshim që në çdo rast mund të bëhet më tepër”, tha Gianni Infantino, president i FIFA.

Vendimi u shndërrua në një skandal me përmasa globale, i cili e detyroi shefin historik të FIFA-s, Sepp Blatter të largohej pas 17 vjetësh në fron.

Qatari në anën tjetër vijonte projektin për të përmirësuar imazhin. Objektivi që të mahniste botën vijoi me prezantimin e Neymar, i cili kryente xhonglime me topin poshtë kullës Eiffel, me fanellën e Paris Saint Germain.

Politika ishte e qartë: të thyhej izolimi diplomatik i vendeve të Gjirit Persik, venitja e kritikave për mungesën e demokracisë së brendshme dhe mbi të gjitha të liheshin në harresë akuzat për financimin e terrorizmit islamik.

Akuzat nuk u ndalën as në muajt përpara turneut. Media prestigjioze denonconin se punëtorët e rekrutuar për ndërtimin e stadiumeve apo infrastrukturës trajtoheshin si skllevër.

Ata punonin në kushte të tmerrshme, jetonin në akomodime të mjerueshme, paguanin tarifa të larta rekrutimi, e sikur këto të mos mjaftonin pagat iu bllokuan dhe pasaportat iu konfiskuan, në mënyrë që të mos largoheshin.

Sipas një raporti të publikuar nga Amnesty International në prill të 2022-shit, rojet e sigurisë në Katar, duke përfshirë disa që punonin në projekte që lidhen me Kupën e Botës, i janë nënshtruar kushteve të punës “të cilat klasifikohen si punë e detyruar”.

Bazuar në intervistat me 34 roje sigurie, aktuale dhe të mëparshëm, të cilët ishin të gjithë punëtorë emigrantë, raporti pretendonte se punonjësit e tetë kompanive të ndryshme private, detyroheshin rregullisht të punonin 12 orë në ditë, në shtatë ditë të javës dhe ndonjëherë pa pasur mundësinë e një dite pushimi prej vitesh.

Punëtorët ishin kryesisht me origjinë nga India, Bangladeshi, Nepali, Filipinet, Paskistani, Kenia dhe Sri Lanka. Në shkurt të vitit 2021, prestigjiozja britanike “The Guardian” shkruante se gjatë dekadës së fundit, në Katar kanë humbur jetën më tepër se 6,500 punëtorë emigrantë. Shifra bazoheshin vetëm në periudhën e 10 viteve, pasi shteti fitoi garën për organizimin e Kupës së Botës.

Të dhënat, e bazuara në burime qeveritare, nënkuptonin se çdo javë mes punonjësve emigrantë regjistroheshin 12 humbje jete prej dhjetorit2010, kur në rrugët e Dohas u festua caktimi i turneut për Katarin.

Emigrantët u punësuan në masë për ndërtimin e stadiumeve, aeroportit të ri, metrosë dhe rrugëve. Megjithatë, ende nuk ekzistojnë të dhënat e sakta për numrin real të vdekjeve, apo nëse ato lidhen direkt me Kupën e Botës.

Katar 2022 ishte operacioni që do të shërbente të ndryshonte imazhin e vendit. Në votimin e 2 dhjetorit 2010, shteti i Gjirit Persik fitoi garën përballë Shteteve të Bashkuara, Australisë, Japonisë dhe Koresë së Jugut. Një vendim që ngjalli reagime të menjëhershme, me skandalet që nisën të publikoheshin në harkun e pak javëve.

Në maj të 2011-ës, akuzat për korrupsion mes zyrtarëve të lartë të FIFA-s ngritën pikëpyetje mbi legjitimitetin e Kupës së Botës 2022. Akuzat lidheshin me mënyrën se si Katari fitoi të drejtën për të organizuar evenimentin.

Një hetim dhe raport i brendshëm i FIFA-s e pastroi Katarin nga çdo shkelje apo përgjegjësi. Megjithatë, në investigimet për FIFA-n, hetuesi Michael J. Garcia e ka përshkruar raportin e asaj periudhe si një material i cili kishte “dokumentacion të paplotë dhe ku shumë fakte ishin të gabuara”.

Pas akuzave të shumta për korrupsion apo konferencave të ndërprera ku hidheshin para, më 6 gusht 2018, ish-presidenti i FIFA-s Sepp Blatter pretendoi se Katari kishte përdorur “operacione të errëta”, duke sugjeruar se komiteti i ofertave kishte mashtruar për të fituar të drejtën e organizimit të Kupës së Botës.

Edhe pse do të jetë eventi më teknologjik dhe modern i futbollit, polemikat rreth Katar 2022 pritet të vazhdojnë edhe disa vjet pasi të kurorëzohen kampionët e rinj të botës./A2news/

Read Previous

982 viktima nga përmbytjet, Pakistani shpall gjendjen e emergjencës

Read Next

Berlini po përgatitet të shtetëzojë Gazpromin e Gjermanisë