Putin: Sllovakia mund të organizojë bisedimet e paqes me Ukrainën

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se Rusia është e hapur ndaj një propozimi sllovak për të organizuar bisedimet e paqes me Ukrainën për t’i dhënë fund një konflikti që ai tha se Rusia ishte e vendosur ta çonte deri në fund.

Presidenti Putin, i cili këtë javë priti Kryeministrin sllovak në Kremlin, tha se Robert Fico, një kundërshtar i hapur i mbështetjes së Bashkimit Evropian për Ukrainën, i ka sugjeruar Moskës mundësinë që të organizojë bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në vendin e tij.

Presidenti rus tha se autoritetet sllovake “…do të ishin të lumtura të ofronin vendin e tyre si një platformë për negociata. Ne nuk jemi kundër, nëse bëhet fjalë për këtë. Pse jo? Meqenëse Sllovakia mban një pozicion kaq neutral”.

Sllovakia shihet si pjesë e grupit në rritje me vendet anëtare të BE-së nga Evropa Qendrore dhe Lindore, të cilët janë skeptikë ndaj mbështetjes për Ukrainën dhe mbështesin negociatat me Rusinë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka kritikuar vazhdimisht Sllovakinë, e cila kufizohet me Ukrainën, për tonin miqësor që Kryeministri i saj Fico përdor ndaj Rusisë që nga kthimi i tij në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2023./express/

Read Previous

Hovenier bashkë me Osmanin do të bëjnë homazhe te shtatorja e Rugovës

Read Next

Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit Santiago Bernabeu për qëllime komerciale