PSG ka ndryshuar dimension pas triumfit historik në Ligën e Kampionëve kundër Interit. Trajneri Luis Enrique nuk ka asnjë dëshirë të ndalet. Në prag të sfidës ndaj Botafogos, spanjolli ka theksuar ambicien e madhe të klubit francez dhe ka vënë re edhe një qëndrim të ri nga kundërshtarët:
“Jemi kampionë Europe, askush s’na e heq këtë. Mendoj se jemi kampionë të mëdhenj të Europës, sepse rrugëtimi ynë ishte shumë i vështirë. Sidoqoftë, jemi vetëm në fillim. Po hedhim hapat e parë të një skuadre që dëshiron të bëhet dominante”.
Luis Enrique theksoi edhe rritjen e vetëbesimit brenda grupit dhe respektin që tashmë i jepet PSG-së: “Të gjithë flasin mirë për ne dhe kjo është kënaqësi. E kuptojmë se çdo kundërshtar, tashmë na përball me motivim të veçantë. Është një sfidë e madhe, të gjithë duan të na mundin. Për këtë arsye duhet të përmirësohemi akoma më shumë, duke përfituar nga besimi që kemi fituar”.
Për sa i përket ndeshjes ndaj brazilianëve, spanjolli shtoi: “Është bukur të përballesh me një ekip si Botafogo, kampion i ‘Libertadores’ 2024, me një histori të madhe pas vetes. Do të na vënë në vështirësi, do të jetë një ndeshje e ndryshme nga ato që luajmë në Europë”.
Në fund dha lajme edhe për gjendjen e Ousmane Dembélé, i cili po rikuperohet nga një dëmtim muskulor: “Po rikuperohet shumë shpejt, por duhet të jemi të kujdesshëm. E duam sa më shpejt me grupin, por pa marrë rreziqe”. /Telesport.al/