Pasi po dominon në kampionat, skuadra e PSG synon të thotë fjalën e saj edhe në Kupën e Francës. Sot, skuadra parisiene do të luajë ndaj Le Mans, ndeshje në të cilën trajneri Luis Enrique nuk do të bëjë shumë eksperimente.
“Kur fitojmë nuk do të thotë se kemi bërë gjithçka mirë dhe kur humbim nuk do të thotë se kemi bërë gjithçka keq. Jam shumë i kënaqur me statistikat e ekipit tim edhe pse e di se mund të përmirësohemi gjithmonë”, tha Enrique.
Trajneri foli për Ousmane Dembele, që së fundi ka realizuar dy herë radhazi nga tri gola, ndaj Brest dhe Shtutgart: “Ousmane ka qenë gjithmonë një lojtar i ndryshëm. Ai është i aftë të mposhtë disa kundërshtarë radhazi, të japë asistime”.
“Qëllimi ynë është ta gjejmë gjithmonë në hapësirë, sepse ai është një lojtar i rëndësishëm, si në
qendër ashtu edhe në krahë”, u shpreh më tej Luis Enrique për sulmuesin francez.
“Jam shumë i kënaqur me cilësinë e skuadrës që kam në dispozicion dhe kështu ka qenë që kur kam ardhur në klub. Ne duhet të menaxhojmë ngarkesën e punës dhe të lejojmë të gjithë të pushojnë kur na lejon programi ynë”, shtoi Enrique. /Telesport.al/