Pse Shqipëria beson te kualifikimi në Euro 2024

Kombëtarja e Shqipërisë arriti të merrte një rezultat pozitiv në takimin e të enjtes mbrëma ndaj Çekisë, duke arritur barazim 1-1 në Pragë.

Rezultati nuk ishte më i miri i mundshëm, por ishte më i drejti dhe ai që kuqezinjtë kishin shpresuar ndaj një kundërshtari të fortë dhe kryesus të grupit.

Përveç pikës së marrë, Shqipëria siguroi edhe dy lojtarë për të ardhmen. Në “Fortuna Arena” debutuan dy afrimet më të reja Mirlind Daku dhe Arbnor Muja. I pari qendërsulmues dhe i dyti anësor i djathtë.

Daku është një afrim që mund të kërcënojë vendin e titullarit për Sokol Cikalleshin. Shtatlarti që aktivizohet me Rubin Kazan në Rusi duket gati për të qenë në krye të sulmit kuqezi dhe e tregoi me dyluftimet dhe gritën që kishte ndaj Çekisë.

Të mos harrojmë dhe rikthimin e Armando Brojës, që do të jetë ndoshta arma më e frotë në sulmin kuqezi. Sulmuesi i Chelsea-t ende nuk e ka provuar veten nën urdhërat e Sylvinho-s.

Përsa i përketë Mujës, lojtari i Antwerp-it do të jetë gjithashtu një armë shtesë në fazën sulmuese. Ai do të shtojë konkurencën në krahun e djathtë, aty ku duket titullar i padiskutueshëm Jasir Asani.

Në përfundim të raundit të parë të ndeshjeve, Shqipëria ka arritur dy fitore, një barazim dhe një humbje. Kuqezinjtë pozicionohen në vendin e dytë në Grupin E me 7 pikë. Një pikë më shumë ka Çekia e vendit të parë. Polonia ka një pikë më pak. Dy më pak ka Moldavia. Dhe, Ishujt Faroe kanë siguruar vetëm 1 pikë deri më tani në katër ndeshje.

Duke qenë se dy vendet e para të çdo grupi kalojnë në finalet e Euro 2024, Shqipëria ka besim të madh se mund ta arrijë në Gjermani.

Kuqezinjtë në takimin e radhës do të kenë një ndeshje të vështirë ndaj Polonisë. Një duel direkt. Ndërkohë, Çekia do të jetë pushim. Kjo do të thotë se në rast të një fitoreje, skuadra e Sylvinho do të ngjitej në vendin e parë, duke shkuar me dy pikë diferencë nga Çekia (me një ndeshje më pak) dhe katër pikë larg polakëve.

Një barazim me Poloninë, të dielën në “Air Albania”, do e bënte kualifikimin pak të ndërlikuar. Ndërsa, një humbje do e komplikonte edhe më tej situatën, ndonëse nuk do të ishte e pamundur të arrihej kualifikimi.

Pas polakëve, Shqipëria do të presë, në tetor, Çekinë në “Air Albania”. Një tjetër ndeshje e madhe për kuqezinjtë, që në rast se arrijnë fitore ndaj Polonisë do të jenë më të qetë. Në të kundërt do të duhet të mundin me çdo kusht Çekinë për të arritur objektivin Euro 2024.

Pas Çekisë, Shqipëria do të udhëtojë drejt Moldavisë në nëntor. Këta të fundit edhe pse humbën 2-0 në Tiranë, në shtëpi janë të fortë, dhe këtë e ka treguar barazimi pa gola me Çekinë dhe fitorja me përmbysje nga 0-2 ne 3-2 me Poloninë. I vetmi “dështim” i tyre në shtëpi ishte barazim 1-1 me Ishujt Faore. Por, përsëri nuk kanë marrë asnjë humbje këto kualifikuese, ky është lajm jo i mirë për kuqezinjtë.

Ndeshja e fundit që do të përmbyllë aventurën e Shqipërisë në këto kualifikuese do të jetë përballë Ishujve Faroe në Tiranë. Një skuadër e lehtë në letër, të cilën kuqezinjtë e dominuan duke fituar 3-1 në transfertë në takimin e parë.

Me pak fjalë, Shqipëria ka një shans të madh për të shkuar në Euro 2024. Nga katër ndeshjet e mbetura, kuqezinjtë do të luajnë tre në shtëpi dhe do kenë një armë shtesë, tifozerinë.

Të mos harrojmë edhe faktin se Polonia dhe Çekia do të kenë një përballje direkte në nëntor, kur kuqezinjtë të vizitojnë Moldavinë. Por, deri atëherë, Shqipëria duhet të këtë bërë detyrat e shtëpisë. /Albanianpost.com

Read Previous

Vitia, ambasadorit të Turqisë: Kemi nisur veprime konkrete për sigurimet shëndetësore

Read Next

Deklarata “bombë” nga ish-lojtari i Milanit: Vendosa të largohem që kur iku Maldini