Nëse je ndër ata që e karikojnë rregullisht telefonin deri në 100%, nuk je i vetmi. Por ja çfarë thonë ekspertët për këtë zakon.
Shumica e njerëzve dëshirojnë të jenë të sigurt që bateria e telefonit do t’u zgjasë gjithë ditën. Disa madje e lënë pajisjen të karikohet gjatë gjithë natës për të shmangur shqetësime gjatë ditës. Megjithatë, sipas ekspertëve, ky zakon e dëmton baterinë me kalimin e kohës, më shumë sesa mendojnë përdoruesit.
“Bateria harxhohet më shpejt nëse karikohet deri në 100%, krahasuar me karikimin deri në një përqindje pak më të ulët”, ka thënë Chaoyan Wang, drejtor i Qendrës për Motora Elektrokimikë në Universitetin e Pensilvanisë, për “Huffington Post”.
Pse është problem karikimi i plotë?
Dibakar Datta, profesor i inxhinierisë mekanike dhe industriale në New Jersey, shpjegon se funksionimi i vazhdueshëm i baterisë në tension të lartë (që ndodh kur karikojmë gjithmonë në 100%) shkakton plakje kimike të saj. Wang shton se nëse vazhdimisht e karikojmë baterinë deri në kapacitet të plotë, mund të humbasim 10 deri në 15% të kapacitetit të saj– një humbje që, ndonëse jo dramatike, ndihet me kalimin e kohës.
A është 90% përqindja ideale?
Ekspertët rekomandojnë që, nëse e dini se nuk do ta përdorni shumë telefonin, mos e karikoni deri në fund. Në shumicën e rasteve, sipas Wang, karikimi deri në 85 ose 90% mjafton për nevojat e përditshme. Por nuk është problem të karikohet deri në 100% herë pas here, sidomos kur keni një ditë të ngarkuar përpara. Gjithçka varet nga situata dhe nevojat personale.
Edhe harxhimi i plotë dëmton baterinë
Përveç mbikarikimit, edhe harxhimi i plotë i baterisë deri në 0% është i dëmshëm. Kur bateria harxhohet krejtësisht, ajo humbet aftësinë për të mbajtur ngarkesën me kalimin e kohës dhe konsumohet më shpejt. Datta këshillon ta karikoni telefonin kur arrin në 20% dhe të shmangni temperaturat ekstreme dhe karikuesit e shpejtë, pasi ata gjenerojnë nxehtësi që mund të dëmtojë më tej baterinë./koha.net/