Pse Koreja e Jugut ka lindshmërinë më të ulët në botë?

Këtë javë, Statistikat e Koresë lëshuan një raport ku thuhej se shkalla totale e lindshmërisë së vendit u ul në 0.81 në vitin 2021.

Fakti që shkalla totale e lindshmërisë në Korenë e Jugut është nën 1 tregon se shumica e çifteve zgjedhin të kenë vetëm një fëmijë dhe se jo pak çifte kanë zgjedhur ta braktisin fare prindërimin. 

OKB-ja parashikon që nëse nivelet e ulëta të lindshmërisë vazhdojnë, popullsia e Koresë së Jugut në vitin 2100 do të jetë më pak se një e treta e madhësisë që është sot.

Qeveria ka kërkuar të rrisë lindshmërinë duke zbatuar politika pronataliste, si dhënia e dhuratave në para për prindërit e rinj, por shkalla e lindshmërisë në vend vazhdon të bjerë çdo vit radhazi.

Pse shkalla e lindshmërisë po zvogëlohet në nivele kaq dramatike në Korenë e Jugut?

Hulumtimet sugjerojnë se rritja e kostove të kujdesit për fëmijët mund të jetë në zemër të rënies së lindshmërisë në Korenë e Jugut. Duke nisur nga arsimi: Prindërit koreanë shpesh besojnë se është detyra e tyre si prindër që të sigurojnë burimet e nevojshme, që fëmijët e tyre të performojnë mirë në shkollë dhe të kenë një avantazh arsimor ndaj bashkëmoshatarëve të tyre. Prandaj, ata shpesh i dërgojnë fëmijët në qendra arsimore private, ku ata mësojnë çdo gjë, duke filluar nga gjuha koreane, angleze, matematika, shkrimi, arti, muzika, madje edhe edukimi fizik.

Këto qendra arsimore private janë jashtëzakonisht të shtrenjta dhe dërgimi i fëmijëve në to, rrit ndjeshëm kostot e rritjes së fëmijëve. 

Një shpjegim tjetër përse lindshmëria është kaq e ulët në Korenë e Jugut përqendrohet në kostot e larta të strehimit. Koreja e Jugut ka një nga tregjet më të shtrenjta të banesave në botë, dhe si shumë vende të tjera, kohët e fundit ka përjetuar një rritje dramatike të çmimeve të shtëpive.

Hulumtimet kanë treguar se gratë që jetojnë në zona me banesa të shtrenjta priren të kenë fëmijë në mosha më të mëdha sesa ato që jetojnë në zona me strehim më të përballueshëm. 

Arsyeja e tretë përqendrohet në pasigurinë ekonomike me të cilën përballen të rinjtë dhe të rejat në Korenë e Jugut. Pas krizës financiare aziatike në 1997, Koreja e Jugut dëshmoi një rritje të punëve të pasigurta dhe jo standarde.

Të rinjtë kanë vështirësi më të mëdha për të kaluar në role të qëndrueshme ekonomike, duke rritur numrin e martesave të vona. Për shkak se lindshmëria ndodh kryesisht në kontekstin e martesave në Korenë e Jugut, rënia e normave të martesës nënkupton ulje të lindshmërisë. Edhe çiftet e martuara mund të vonojnë ose të heqin dorë nga lindja e fëmijëve nëse ka pasiguri të lartë ekonomike. 

Në përgjithësi, literatura mbi lindshmërinë sugjeron se perspektivat ekonomike në rënie të individëve të rinj, së bashku me rritjen e kostove të strehimit dhe kujdesit për fëmijët, kanë krijuar stuhinë e përsosur për rënien e paprecedentë të lindshmërisë.

Burimi: CNN, Psychology Today

Read Previous

Florian Marku nderohet me çmimin “Ylli i madh” nga Republika e Shqipërisë

Read Next

Makina e princeshë Diana-n shitet në ankand për 766,000 €