Kevin De Bruyne ka mbajtur shiritin e kapitenit për Manchester Cityn herë pas here, por nuk ka synuar ta marrë këtë rol në baza të përhershme.
Mesfushori belg ka qenë pjesë e grupit drejtues të Pep Guardiolës për një kohë të gjatë, duke qenë një nga pesë figurat kyçe që marrin përgjegjësi shtesë. De Bruyne është i kënaqur me rolin e tij, si dikush që gjithmonë ka kërkuar të udhëheqë me shembull.
Ai preferon të frymëzojë përmes veprimeve, jo fjalëve, prandaj nuk ka kërkuar kurrë të bëhet kapiten i përhershëm i Cityt. Sipas The Athletic, lojtari 33-vjeçar, i dekoruar me shumë tituj, “do të fokusohej më shumë në lojën e tij sesa në përgjegjësitë shtesë”.
Roli i kapitenit “nuk është për të”, pavarësisht se e përmbush atë rol me kombëtaren belge. Megjithatë, ai ka shfaqur frustrim, dhe u kap në kamera duke i thënë drejtorit sportiv të Belgjikës, Franky Vercautern, “Unë po largohem” pas humbjes 2-0 në Ligën e Kombeve ndaj Francës.
Pas asaj ndeshjeje, De Bruyne tha në një intervistë: “Standardi është shumë i lartë, dhe nëse nuk je në nivelin e duhur, duhet të japësh gjithçka, por disa nuk po e bëjnë këtë”. Këto shqetësime nuk ekzistojnë në Etihad, ku Guardiola kërkon vetëm më të mirën nga lojtarët e tij.
De Bruyne është i kënaqur që ndodhet në një rol të dytë, duke luajtur nën kapitenët e mëparshëm si Fernandinho, Ilkay Gundogan dhe tani Kyle Walker. Walker, i cili është kapiten aktual, thuhet se gëzon “të gjitha detyrat shtesë të kapitenit”, gjë që i lejon De Bruyne të përqendrohet plotësisht në lojën e tij gjatë vitit të fundit të kontratës me Manchester Cityn. /Goal.com/