Prokuroria e Tiranës i ka dërguar dosjen e “21 Janarit” Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar, SPAK.
Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë për “21 Janarin” dhe ia ka dërguar dosjen hetimore SPAK-ut, që tanimë po kryen hetimet për vrasje shtetërore pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Pas vendimit të Strasburgut, Gjykata e Lartë i kërkoi SPAK-ut të sqarojë rolin e Lulzim Bashës, Sali Berishës dhe Ndrea Prendit.
Procedimi penal është regjistruar më datë 15 korrik 2024 për tre vepra penale që dyshohet se mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, dhe jo vrasje nga pakujdesia.
SPAK i akuzon për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Të parët që u morën në pyetje nga SPAK ishin bashkëshortja e të ndjerit Aleks Nika, Rajmonda dhe xhaxhai i tij, Mark Nika.
Familja e Nikës prej më shumë se një dekade kërkon drejtësi për vrasjen e tij dhe tashmë SPAK pritet të zbardhë të vërtetën e ngjarjes dhe rolin e funksionarëve shtetërorë.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.
Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.
Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.
Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.
Familja e Aleks Nikës, më herët njoftoi se, ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.
Rihapja e dosjes
Ka qenë policia e Tiranës, e cila më 21 janar 2021, në 10-vjetorin e ngjarjes, ka kërkuar rihapjen e hetimeve për çështjen e “21 janarit”.
Kjo nëpërmjet një letër-kërkese drejtuar Prokurorisë.
Në letër u kërkua ri-ekspertim hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.
Gjithashtu, aty shkruhet se duhet ri-ekspertim i plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishin në shërbim më 21 janar./Albanianpost.com