Prokurori Isuf Sadiku e cilëson vrasje të rëndë rastin e Agonis Tetajt

Prokurori i ri Isuf Sadiku sot në seancën gjyqësore tha se Prokuroria mbetet pranë aktakuzës fillestare për vrasje të rëndë në rastin e Agonis Tetajt.

Këtë kërkesë ai e arsyetoi me kërkesën urgjente për rihapje të shqyrtimit gjyqësor duke elaboruar edhe vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Prokurori paraprak në këtë rast, Agron Uka e kishte ricilësuar vrasjen e Agonis Tetajt nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Kujtojmë ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, ka komentuar më herët vrasjen e Agonis Tetajt, e cila ndodhi në shtatorin e vitit 2018 në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan dhe vendimin e prokurorit të rastit për ricilësimin e kësaj vepre nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Hasani vlerësoi se ricilësimi i kësaj vepre ishte i duhur, pasi që, sipas tij, është e vështirë të besohet se ka pasur një motiv a qëllim që të kryhet ajo vrasje.

Më vonë pati reaguar Zyra e Prokurorit të Shtetit. Kryeprokurori Aleksandër Lumezi akuzoi Hasanin se vendimi i tij për ricaktimin e kësaj lënde te një prokuror tjetër, nuk është në përputhje me pritshmëritë personale të tij, prandaj pati thënë se ai atakon në mënyrë të pabazë institucionin e Prokurorit të Shtetit./Gazeta Sinjali/

Read Previous

Tottenham synon trajnerin e Interit, Antonio Conte për sezonin e ardhshëm

Read Next

Zeki Vehapi, një jetë me dëgjuesit e Radio Gjakovës