Programi për Integrim Evropian, Bislimi: Së paku 50 shërbime të reja në platformën e-Kosova

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi në mbledhjen e gjashtë të Këshillit ministror për integrime evropiane tha se Programi kombëtar për integrime evropiane 2024-2028 është miratuar më 2 prill në Qeveri të Kosovës dhe është në pritje të miratimit nga Kuvendi.

Bislimi tha se dy dokumentet, Programi kombëtar për integrime evropiane dhe Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian janë dokumente strategjike që përfaqësojnë spektrin e reformave për integrim evropian dhe të njëjtën kohë këto reforma ndihmojnë në nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

“Për këtë vit janë planifikuar 307 masa afatshkurtra, nga të cilat 38 janë ligje, 3 marrëveshje ndërkombëtare, 65 akte nënligjore dhe 201 masa zbatuese…”, tha ai.

Zëvendëskryeministri tha se disa nga masat pritet të realizohen brenda këtij viti, si Projektligji për prokurimin publik, Projektligji për bankat, Plani strategjik për doganat 2024-2027, Strategjia kundër narkotikëve, funksionalizimi i së paku 50 shërbimeve të reja në e-Kosova.

“Duke qenë që projektligjet janë masa më të vështira për tu zbatuar sepse kërkojnë më shumë kohë e procedura ju rekomandoj që të filloni menjëherë me hartimin e tyre nëse veç nuk keni filluar…”, u shpreh Bislimi. /Telegraf/

Read Previous

​Dy interpelanca të ministrave në Kuvendin e Shqipërisë

Read Next

​Hyn ilegalisht nga Serbia, ndalohen dy serbë