Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka përditësuar të dhënat e rezultateve nga numërimi i deritashëm i votave.
Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 340,690 vota apo 40.87%, kur janë procesuar 99.57% e vendvotimeve nga qendrat e numërimit, sipas të dhënave të fundit të përditësuara sot në 11:54.
Në përditësimin e fundit të martën, kjo parti numëronte 340,541 vota, apo 40.86%. Tash ka 149 vota më shumë nga përditësimi paraprak.
Partia Demokratike e Kosovës ka mbetur me të njëjtat vota (183,661) që prej përditësimit të djeshëm në 18:32. Ajo tash ka 22.03% të votave.
I pandryshuar ka mbetur edhe numri i votave të Lidhjes Demokratike e Kosovës (146,815 vota, sikurse dje), apo 17.61%.
Koalicioni AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30 ka 62,172 vota, apo 7.46%. Në përditësimin paraprak kishte 62,111 vota, apo 7.45%. Tash numëron 61 vota më shumë.
Pasi të numërohen të gjitha votat e rregullta do të nisë numërimi i votave me postë dhe atyre me kusht.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me komunikatë për media pas shumë telasheve teknike, skandaleve me faqen e rezultateve, dhe dyshimeve për probleme me vota.
KQZ-ja në një reagim për media, ka theksuar se në asnjë moment nuk është cenuar integriteti i votes.
Sipas tyre, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe bazuar në vullnetin e qytetarëve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se pas përfundimit të votimit në vendvotime si dhe pas përfundimit të votimit jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës, i gjithë angazhimi i institucionit është I përqendruar në shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë. Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime; numërimin e votave me kusht; votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës”, thuhet në njoftim. /GazetaSinjali/