Më 15 mars të vitit 2019 kanë nisur punimet për zgjerimin e segmentit të rrugës nacionale “Dollc-Gjakovë”. Segmenti i parë me gjatësi rreth 5 kilometra kishte koston e investimit mbi 4 milionë euro. Ministri i infrastrukturës së asaj kohe, Pal Lekaj kishte dhënë këtë premtim.
Punimet kanë ngelur në gjysmë dhe për këtë qytetarët po i fajësojnë institucionet përgjegjëse.
Këtë rrugë nacionale përveç qytetarëve të komunës së Gjakovës e frekuentojnë edhe qytetarë të komunave tjera. Përveç tollovisë në komunikacion ngasësit thonë se si pasojë e gropave në rrugë atyre po ju dëmtohen edhe veturat.
Ata që pothuajse çdo ditë qarkullojnë në këtë segment rrugor thanë se për shkak të infrastrukturës së mjerueshme këtu shkaktohen edhe aksidente.
Për shkak të punimeve të më hershme sipas njësisë rajonale të policisë së trafikut rrugor në Gjakovë thuhet se në aksin rrugor ”Gjakovë-Mrasor” ka probleme të shumta infrastrukturore. Komandanti I trafikut Albin Sahatqija ka thënë se ndër to janë dëmtimi I rrugës, mungesa e sinjalizimit dhe hapja e gropave.
“Sa i përket aksit rrugor Gjakovë-Mrasor ku janë shfaqur probleme të mëdha infrastrukturore, prishja e rrugës, hapja e gropave, mungesa e sinjalizimit për shkak të punimeve të më hershme në atë pjesë të rrugës.Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor të Rajonit të Gjakovës I ka marrur dhe po I merr të gjitha masat preventive përmes mbulimit të terenit dhe mbajtjes së pikave të kontrollit të shpeshta në atë pjesë. Për shkak se këtë pjesë të rrugës e konsideron pikë të zezë.Përveq kësaj janë dërguar shkresa të njëpasnjëshme përmes zyrtarës së lartë të infrastrukturës në polici e cila të gjitha shkresat I procedon në Ministrinë e Infrastrukturës.Vetëm këtë vit për të njëjtin aks rrugor Gjakovë-Mrasor kemi dërguar 2 shkresa të bashkangjitura me foto dhe me detale I kemi njoftuar për cdo mungesë sinjalizimi dhe problem të rrugës.Ku ekziston rrezikshmëria e lartë e aksidenteve në fshatrat e këtij aksi rrugor të rrugës magjistrale, mirëpo deri më tani jemi duke pritur në veprimet që të ndërmirren nga Ministria e Infrastrukturës”
Lidhur me këtë projekt mediumi ynë ka kërkuar një përgjigje edhe nga Departamenti për Menaxhimin e Rrugëve pranë Ministrisë së infrastrukturës. Përmes emailit ne kemi pranuar këtë përgjigje nga drejtori i këtij dikasteri Malë Lokaj:
Ju informoj se projekti për zgjerimin e rrugës Gjakova-Klinë apo “Dollc-Gjakovë”, ka filluar pa u kryer procedurat e shpronësimit të cilat do të duhet bërë paraprakisht. Ky mos procedim është faktori kyq por jo i vetmi i kësaj gjendjeje në të cilën është kjo rrugë momentalisht. Probleme të tjera penguese përgjatë rrugës janë edhe faktorë të tjerë të shumtë, siç është rasti fjala bie për zhvendosjen e infrastrukturës nëntoksore të regjistruar e të pa regjistruar fare si dhe dislokimi i shtyllave elektrike të cilat gjithashtu është dashur të bëhëshin paraprakisht. Ky projekt do të fillojë së implementuari në tërësinë e tij, sapo të bëhet zgjidhja dhe implementimi i këtyre procedurave të cilat shpresojmë të mos vonohen shumë
Kjo rrugë në total ka gjatësi prej 31 kilometra dhe kostoja e përgjithshme e saj është 57 milionë euro. Në publikimin e projektit të viti 2019 ishte bërë e ditur se kjo rrugë do të bëhet me katër korsi si dhe me infrastrukturën përcjellëse sipas standardeve të parapara për këtë kategori rrugësh.Por deri më tani finalizimi I këtij projekti nuk është bërë. Andaj qytetarët mbesin me shpresën që Ministria e infrastrukturës të zgjidh të gjitha procedurat dhe të fillojë punimet për ndërtimin e kësaj rruge.