“Për të qetësuar tensionet në terren dhe në rast se ka nevojë një reagim i shpejtë”.
Këto janë arsyet pse trupat e KFOR-it kanë shtuar prezencën në afërsi të Jarinjës dhe Bërnjakut.
Në të njëjtën kohë, KFOR-i u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet e njëanshme dhe të përmbahen nga dhuna.
Këtë e ka konfirmuar për mediat lokale në Veri edhe Zyra për Informim e Shtabit të KFOR-it, kur janë pyetur për praninë dukshëm të shtuar të ushtarëve të KFOR-it në veri në ditët e fundit.
Nga sa është parë, trupat e shtuar janë nga radhët e amerikanëve dhe polakëve.
Siç thuhet në Zyrën për Informim të KFOR-it, Komanda Rajonale “Lindje” ka shtuar prezencën pranë vendkalimeve Jarinje dhe Bërnjak, si dhe ka vendosur disa pika kontrolli pranë rrugëve të komunikacionit.
Gjithashtu ka rritur patrullimin në zonë së bashku me karabinierët dhe zyrtarët e EULEX-it.
Qëllimi, shtojnë ata, është rritja e ndërgjegjësimit për situatën aktuale.
Mandati i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999 dhe konsiston në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, thonë ata.
“Për të kryer detyrat e veta, KFOR-i mban një prani të dukshme dhe të shkathët në terren”, thuhet në përgjigjen e kësaj trupe.
Aktualisht ka pak më shumë se 3,700 ushtarë të KFOR-it në Kosovë, por ky numër mund të rritet nëse është e nevojshme, konfirmoi edhe Sekretari i Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me kryeministrin e Kosvoës, Albin Kurti. /Albanianpost.com