Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani takoi Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. 

Në këtë takim Osmani diskutoi për zhvillimet në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin e fundit terrorist në Ibër-Lepenc.

Presidentja Osmani prezantoi para Presidentit Costa dëshmitë për lidhjet e Serbisë me këtë sulm.

Njoftimi i plotë i presidentes Osmani:

“Kosova në BE është synimi për të cilin po punojmë ҫdo ditë! 🇽🇰🇪🇺

Në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, takova Presidentin e ri të Këshillit Evropian, António Costa. Në dritë të zhvillimeve të fundit në fushën e sigurisë, duke përfshirë sulmin terrorist në infrastrukturën tonë kritike, ritheksova rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ta ruajtur stabilitetin në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor si dhe për të mbajtur përgjegjës autorët e këtij krimi, njësoj sikurse edhe autorët e aktit të agresionit në Banjskë të kryer poashtu nga Serbia dhe strukturat e saj. Avancimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, si dhe heqja e masave kufizuese do të ishte një mesazh i fuqishëm për të gjithë rajonin se bashkërendimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së si dhe reformat në sundim të ligjit e demokraci janë parime mbi të cilat nuk bën të shkelet. Do të jepte mesazhin se linjëzimi me BE-në e jo me Rusinë, është ajo që të shtyen përpara. E mbi të gjitha, do të ishte proces i bazuar në punë, reforma e përkushtim ndaj vlerave të BE-së.” – përfundoi Osmani.

Presidentja e Kosovës po ashtu sot do të takohet edhe me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola. /tvsyrivision/

Read Previous

Ylli i ekipit refuzon ofertën e fundit të kontratës nga Liverpooli

Read Next

Pamje të reja nga Kanali i Ibër Lepencit që u sulmua javën e kaluar