Presidenti Begaj mesazh para zgjedhjeve të 11 majit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i është drejtuar me një mesazh të gjithë shqiptarëve, institucioneve dhe partive politike në prag të zgjedhjeve të 11 majit.

Ai ka theksuar rëndësinë e këtij procesi si një akt thelbësor i demokracisë, Begaj fton qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës me qetësi dhe dinjitet.

Begaj bën thirrje për një proces të qetë, ndërsa shton se këto zgjedhje janë edhe një test pjekurie politike edhe për vetë partitë politike dhe institucione që merren me mbarëvajtjen e këtij procesi.

Mesazhi i Presidentit Bajram Begaj:

Të dashur qytetarë,

Sot, dua t’ju drejtohem me një mesazh të posaçëm:

11 maji është një ditë e veçantë për secilin prej jush. Në këtë ditë ju keni mundësinë dhe të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen tuaj, të familjes dhe të Shqipërisë sonë të përbashkët.

Unë ju ftoj të ushtroni të drejtën tuaj për të votuar ditën e diel me qetësi, përgjegjësi dhe dinjitet! Të gjithë së bashku mund ta kthejmë këtë proces në një shembull të qytetarisë, të transparencës dhe të pjekurisë demokratike, sepse demokracia nuk është thjesht një ditë votimi, është një angazhim i përditshëm që nis me pjesëmarrjen dhe kulmon me përgjegjësinë.

Institucionet kanë një detyrim të qartë dhe të panegociueshëm: të garantojnë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të qeta. Vetëm përmes një procesi zgjedhor të ndershëm dhe të besueshëm ndërtohet besimi i qytetarëve te shteti, tek institucioni i votës dhe te vetë e ardhmja demokratike e vendit tonë.

Unë besoj thellësisht se populli shqiptar meriton më të mirën. Meritoni një proces zgjedhor që përfaqëson vullnetin tuaj të lirë, që respekton ligjin dhe që i shërben vetëm interesit publik.

Zgjedhjet e 11 majit nuk janë vetëm ushtrim demokracie, por janë test i rëndësishëm pjekurie politike për qytetarët dhe faktorin politik.

Ndaj, si përfaqësuesi juaj, ju kërkoj me zemër që 11 majin ta ktheni në ditë feste dhe angazhimi qytetar në emër të demokracisë dhe të shpresës për të ardhmen. Vota është zëri juaj. Përdoreni me dinjitet, sepse përmes saj ju merrni në dorë fatin tuaj dhe të brezave që do të vijnë.

Pavarësisht sfidave që mund të hasim, unë kam besim se ne mund dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar, të palëkundur në përkushtimin tonë për një Shqipëri më të drejtë, më të zhvilluar dhe më demokratike./rtk/

Read Previous

Ambasadori i BE-së: Shpresoj që Kosova të integrohet në Bashkimin Evropian sa më shpejtë

Read Next

Udhëtuan gjithë natën me tren- Merz, Macron dhe Starmer në Kiev