Prapë seancë e mbyllur në Speciale, dëshmon dëshmitari i 67-të

Dëshmitari i 67-të, ka nisur dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), por që i njëjti do të dëshmojë në seancë të mbyllur, ngjashëm sikurse dy dëshmitarët paraprak ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett për Albanian Post.

“Dëshmitari i parë që do të dëshmojë nesër (e hënë) do të ketë masa mbrojtëse dhe shumica e dëshmive do të jenë private”, ka thënë Bennett për AP.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar një parashtrim përmes të cilit ka njoftuar panelin e trupit gjykues në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk do të mbështetet në dëshminë e 10 dëshmitarëve.

Në Speciale, të martën kishin nisur dëshminë dy dëshmitarë, njëri që ka qenë Oficer i ushtrisë Federale të Gjermanisë, Dietrich Klaus Jensch, teksa të mëkurën kishte dëshmuar dëshmitari i 54-të, Johan Fritsch.

Prej mbi 300 dëshmitarëve në total, deri tani janë dëgjuar 66 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët kosovarë, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV) Rexhep Selimi, akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm. /Albanianpost.com

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Ancelotti flet para finales së Ligës së Kampionëve ndaj Dortmundit

Read Next

Kokainë nga Durrësi në Angli, identifikohet pritësi i 7.3 kilogramëve të sekuestruara në port