Portugali/ Sekuestrohen 2 ton kokainë, një pjesë e saj do i dorëzohej klanit shqiptar ‘Farruku’

Policia spanjolle tha të premten se kishte sekuestruar mbi dy ton kokainë dhe arrestoi nëntë persona të dyshuar për kontrabandë të sasive të mëdha të drogës nga Kolumbia.

Të nëntë, të gjithë shtetas spanjollë, dyshohen se janë anëtarë të bandës “Piturros”, një grup kriminal i lidhur me trafikun e drogës në rajonin veriperëndimor të Spanjës Galicia që nga vitet 1980, tha një deklaratë e policisë.

Kokaina u sekuestrua nga një anije në brigjet portugeze dhe nga disa ndërtesa në Galicia në një operacion të koordinuar nga forcat policore të BE-së Europol dhe Administrata e SHBA-së për Zbatimin e Drogës, shtohet në deklaratë.

Policia spanjolle tha se anëtarët e bandës besohej se ishin “në kontakt të ngushtë me shpërndarësit kryesorë kolumbianë të kokainës”.

Europol tha se kokaina e sekuestruar ishte “e destinuar për një bandë famëkeqe kriminale me origjinë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor” –  “klanit shqiptar ‘Farruku’ në Spanjë”.

Kujtojmë se më 21 prill, autoritetet spanjolle çmontuan një grup kriminal shqiptar që trafikonte kokainë nga Amerika Latine në të gjithë Evropën, duke treguar rëndësinë në rritje të rrjeteve të krimit shqiptar në tregtinë transatlantike të drogës.

17 persona që i përkisnin një organizate të njohur si “Klani Farruku” u arrestuan në bastisje në të gjithë Spanjën, sipas një njoftimi për shtyp të 14 prillit nga policia spanjolle.

Grupi dukej se përbëhej kryesisht nga një familje shqiptare që jetonte në Madrid dhe në rajonin jugor turistik të Costa del Sol.

Ata kishin lidhje me kreun e grupit, Kreshnik Budlla Farruku, një trafikant i njohur shqiptar droge, i cili nuk u arrestua gjatë këtij operacioni dhe është ende në arrati.Ndërsa grupi është i njohur për autoritetet spanjolle që nga viti 2008, hetimi u përshpejtua pasi autoritetet mësuan për një dërgesë të mundshme droge të lidhur me grupin në shtator 2021, e cila u kap përfundimisht në janar 2022.

Bëhet fjalë për sekuestrimin e 2 ton kokaine të fshehur në një kontejner peshku të ngrirë të dërguar nga Guayaquil, Ekuador, në Algeciras dhe Spanjë.

Që nga fillimi i operacionit në shtator 2021, me grupin shqiptar janë kapur gjithsej afro 10 ton kokainë në Itali, Belgjikë, Greqi, Portugali, Holandë dhe Spanjë.

Përveç kësaj, klani u ka të ngjarë të jetë përfshirë në një lloj tjetër pazari droge, të njohur si “kilogramë për kilogram”.

Një ngarkesë prej 10 tonësh hashash maroken i kapur në Portugali dyshohet se do të dërgohej në Amerikën Latine për t’u shkëmbyer me të njëjtën sasi kokaine.

Kjo lloj marrëveshjeje nuk është e pazakontë për këtë grup, sipas Pavla Holcova, redaktore rajonale për Evropën Qendrore për Projektin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), e cili ka ndjekur grupin për disa vite.

Klaniduket se ka qenë një nga organizimet më të mirëstrukturuara shqiptare të zbuluara deri më sot, me anëtarë që kanë ushtruar ndikim në pjesët kryesore të rrjetit të kokainës në shumë vende të Amerikës Latine dhe Evropës.

Kjo tregon se edhe pse disa nga bashkatdhetarët e tyre kanë krijuar ndikim në Amerikën Latine për më shumë se një dekadë, trafikantët shqiptarë të drogës po bëhen më të organizuar.

“Ata kanë infrastrukturë në Spanjë, në Holandë dhe në portin belg të Antwerp-it”, tha Holcova.

Grupi është i pranishëm edhe në Ekuador, një pikë e nxehtë për të dërguarit e grupeve kriminale shqiptare.

Ergys Dashi, për të cilin policia spanjolle konfirmoi se kishte qenë ndërmjetës i klanit Farruku, u vra në një restorant Guayaquil në shkurt të vitit 2022, menjëherë pas kapjes së kokainës në portin e Algeciras.

Rasti i Dashit është një shembull se si funksionojnë ndërmjetës të tillë, sipas Holcova-s.

Ndërsa ai ishte një aset i rëndësishëm strategjik për rrjetin Farruku, ai nuk ishte pjesë e grupit kryesor të tij, shpjegoi ajo, duke shtuar se grupi ka të ngjarë të ketë një numër të dërguarish të ngjashëm aktualisht në Ekuador dhe Perunë fqinje.

“Në një apo dy vitet e fundit, Peruja ka parë një rritje të aktiviteteve nga grupet shqiptare”, tha ajo.

Dhe Klani Farruku nuk është vetëm.

Një tjetër trafikant famëkeq shqiptar, Dritan Rexhepi, u arrestua në Ekuador në vitin 2015 dhe u dënua me 13 vjet burg për kërkimin e marrëveshjeve të kokainës në Evropë.

Megjithatë, ai duket se është liruar nga burgu i tij në Guayaquil në fillim të vitit 2022 dhe që atëherë nuk është parë më. /Albanianpost.com

Read Previous

Sunak: Ushtarët tanë po e ruajnë paqen në Kosovë

Read Next

​BE mirëpret rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndihmën ndaj Gazës