Polonia drejt një ushtrie me 500 mijë trupa

Photo: Aleksander Kalka/NurPhoto via Getty Images

Polonia ka prezantuar një plan ambicioz për zgjerimin e kapaciteteve të saj ushtarake, duke synuar që deri në vitin 2039 të ketë një forcë prej 500 mijë personash, mes ushtarakëve aktivë dhe rezervistëve.

Objektivi u bë publik nga zëvendës ministri i Mbrojtjes, Stanisław Wziątek, gjatë një seance të Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes Kombëtare.

Sipas planit, Forcat e Armatosura polake do të përbëhen nga 300 mijë ushtarakë profesionistë në shërbim aktiv dhe 200 mijë rezervistë.

Zgjerimi është pjesë e Programit të Zhvillimit të Forcave të Armatosura për periudhën 2025-2039, i miratuar në fund të vitit të kaluar nga ministri i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministri polak, Władysław Kosiniak-Kamysz.

Gjatë diskutimeve në parlament, disa deputetë ngritën pikëpyetje mbi afatin e gjatë të realizimit të objektivit, por Wziątek u shpreh optimist se ritmi i rekrutimeve mund të përshpejtohet.

“Jemi të bindur se dinamika e zgjerimit do të rritet dhe objektivi mund të arrihet edhe përpara vitit 2039”, deklaroi ai.

Sipas të dhënave të ministrisë, ushtria polake është rritur me mbi 11 mijë efektivë që nga viti 2024.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, rreth 19 mijë ushtarakë profesionistë dhe mbi 17 mijë persona në shërbimin bazë vullnetar iu bashkuan forcave të armatosura.

Për të mbështetur këtë transformim, qeveria polake ka nënshkruar kontrata me industrinë vendase të mbrojtjes me vlerë rreth 120 miliardë zloty, ose afërsisht 32.3 miliardë dollarë.

Një pjesë e financimit mbështetet edhe nga fondi evropian SAFE, i krijuar për të financuar riarmatosjen e vendeve anëtare dhe partnere. Polonia ka përfituar tashmë një këst fillestar prej 7.6 miliardë dollarësh nga ky mekanizëm.

Sipas një raporti të Globsec, Polonia është ndër vendet që po investojnë më agresivisht në forcimin e mbrojtjes, duke u veçuar veçanërisht për investimet në sistemet e mbrojtjes ajrore dhe për strategjinë afatgjatë të modernizimit ushtarak. /Albanianpost.com

Read Previous

Kërkesat për azil në BE bien në nivelin më të ulët që nga 2021

Read Next

Shfaqet për herë të parë Samsung Galaxy S27