Kërkesat për azil në BE bien në nivelin më të ulët që nga 2021

Credit: AFP via Getty Images

Numri i kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Evropian dhe shtetet partnere ka shënuar rënie për të dytin vit radhazi, duke arritur në rreth 822 mijë aplikime gjatë vitit 2025, niveli më i ulët që nga viti 2021.

Kjo përfaqëson një ulje me rreth 20% krahasuar me vitin 2024, sipas Raportit të Azilit 2026 të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA).

Gjermania mbeti destinacioni kryesor për azilkërkuesit me 163 mijë aplikime, e ndjekur nga Franca, Spanja dhe Italia. Në raport me numrin e popullsisë, Greqia dhe Qipro regjistruan nivelin më të lartë të kërkesave për azil.

Sipas raportit, grupet më të mëdha të aplikantëve gjatë vitit 2025 ishin shtetasit e Afganistanit, Venezuelës, Sirisë, Bangladeshit dhe Turqisë. Ndërkohë, aplikimet e përsëritura arritën nivel rekord, duke përbërë 15% të totalit të kërkesave për azil.

Raporti vlerëson se rënia e kërkesave lidhet me zhvillimet politike në disa vende të origjinës, veçanërisht në Siri, si dhe me bashkëpunimin e shtuar të Bashkimit Evropian me vendet partnere përgjatë rrugëve migratore.

Njëkohësisht, rreth 4.5 milionë persona të zhvendosur nga Ukraina vazhdojnë të përfitojnë mbrojtje të përkohshme në vendet evropiane.

Sipas EUAA-së, shumë shtete po përgatiten gradualisht për kalimin nga mbrojtja e përkohshme drejt formave afatgjata të qëndrimit dhe integrimit.

Raporti thekson se viti 2025 u dominua nga përgatitjet për hyrjen në fuqi të Paktit të ri Evropian për Migracionin dhe Azilin, i cili do të nisë zbatimin në qershor 2026.

Reformat synojnë procedura më të shpejta, forcim të kontrollit kufitar dhe një sistem më të harmonizuar për trajtimin e kërkesave për azil në të gjithë Bashkimin Evropian.

Sipas EUAA-së, megjithëse numri i aplikimeve ka rënë, konfliktet e vazhdueshme në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe rajone të tjera mund të krijojnë presione të reja migratore në vitet e ardhshme, ndërsa vendet evropiane përballen me sfidën e zbatimit të sistemit të ri të azilit. /Albanianpost.com

Read Previous

Kush do të jetë fituesi i Kupës së Botës? Ky është parashikimi i Arsene Wenger

Read Next

Polonia drejt një ushtrie me 500 mijë trupa