Polonia akuzon tre 19-vjeçarë për planifikim sulmi në një shkollë

Polonia ka akuzuar tre 19-vjeçarë të dyshuar për mbledhjen e materialeve piroteknike dhe planifikimin e veprimeve terroriste, përfshirë një sulm ndaj një shkolle, duke u frymëzuar nga vrasësi masiv norvegjez Anders Breivik, ka bërë të ditur të enjten ministria e Brendshme e Polonisë.

“Duket se ata ishin të magjepsur nga ideologjia që përhap terrorizmin, nga këta vrasës serialë të cilët, si në rastin e Norvegjisë, vranë disa dhjetëra njerëz”, u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i ministrisë, Jacek Dobrzynski.

“Me sa duket, ata kërkuan të bënin diçka të ngjashme këtu në vendin tonë”, ka shtuar ai.

Në mizorinë më të keqe në kohë paqeje të Norvegjisë, Breivik, një neonazist anti-mysliman, vrau 77 persona në vitin 2011. 

Ai fillimisht ka vrarë tetë persona me një makinë-bombë në Oslo dhe më pas ka qëlluar për vdekje 69 të tjerë, shumica prej tyre adoleshentë, në një kamp rinor të Partisë Laburiste në ishullin Utoeya.

Vendimi për të ngritur akuza ndaj tre burrave në Poloni vjen ndërsa Austria mban zi për 10 viktimat e një sulmi të armatosur të kryer nga një 21-vjeçar në ish-shkollën e tij të mesme në qytetin e Grazit.

Personi i armatosur, motivi i të cilit mbetet i paqartë, ka vrarë edhe veten./koha.net/

Read Previous

Abdixhiku për LVV-në: Në mëngjes akuzon, në mbrëmje dërgon letra për bashkëpunim

Read Next

Plani i ri i BE-së godet duhanpirësit, çmimet e cigareve drejt rritjes në tërë Evropën