Policia njofton për raste vjedhjeje, dhune dhe falsifikimi dokumentesh

Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24-orësh mbi incidentet kriminale dhe ngjarjet në nivel vendi, ku janë evidentuar disa raste të natyrave të ndryshme, ndërsa në disa rajone nuk është raportuar asgjë me rëndësi.

Në rajonin e Prishtinës, është raportuar një rast vjedhjeje, ku një qytetari i është marrë motoçikleta nga persona të panjohur. Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.

Ndërkaq, në rajonin e Gjilanit nuk është raportuar asnjë incident apo ngjarje me rëndësi gjatë kësaj periudhe.

Në rajonin e Ferizajt janë regjistruar disa raste. Një grua e dyshuar ka kanosur dhe më pas ka sulmuar fizikisht një zyrtare policore brenda stacionit policor, me ç’rast viktima ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu, është raportuar një rast tjetër kanosjeje përmes rrjeteve sociale, ndërsa një rast i dhunës në familje është evidentuar në Shtërpcë, ku një femër dyshohet se është sulmuar nga prindi i saj.

Në rajonin e Prizrenit nuk është raportuar asnjë incident me rëndësi.

Ndërsa në rajonin e Pejës, është regjistruar një rast i dhunës në familje, ku një person është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht djalin e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Edhe në rajonet e Gjakovës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut nuk është raportuar asgjë me rëndësi.

Ndërkohë, në kuadër të Policisë Kufitare, në pikën kufitare në Jarinjë është ndaluar një shtetase e Serbisë, e cila dyshohet se ka prezantuar dokumente të falsifikuara. Dokumentet janë konfiskuar, ndërsa rasti procedohet në rrugë të rregullt.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për rastet e evidentuara janë duke vazhduar dhe ka apeluar tek qytetarët për bashkëpunim dhe respektim të ligjit. /RTKlive

Read Previous

Dogana e Kosovës pjesë e projektit të organizuar nga Komisioni Evropian

Read Next

Derbi i Madridit, Reali përballet me Atleticon