Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka sekuestruar armë në pesë raste të ndryshme gjatë 24 orëve të fundit. Rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Gjakovë, Malishevë dhe në Vushtrri.
Sipas njoftimit në raportin 24-orësh, në Prishtinë, është arrestuar një person nën dyshimin se gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar pistoleta me shtatë fishekë dhe një thikë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Policia ka njoftuar edhe për një rast tjetër që ka ndodhur në kryeqytet, ku është arrestuar një i dyshuar pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Kurse në Gjakovë janë arrestuar dy të dyshuar pasi që kishin publikuar një video duke shtënë me armë zjarri. Sipas policisë janë sekuestruar një armë zjarri automatike, një pistoletë dhe 62.300 euro para të gatshme, të cilat janë sekuestruar për shmangie nga tatimi. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Në Malishevë janë arrestuar tre të dyshuar, pasi që në një aheng familjar kishin shtënë me armë zjarri. Pistoleta me gaz është sekuestruar. Me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër i armëmbajtjes pa leje ka ndodhur edhe në Vushtrri. Njësiti i hetuesisë ka ndaluar të dyshuarin, pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një revole. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt./rtklive