Policia jugafrikane gjen 22 trupa të pajetë në një klub nate

Mbi 20 trupa të pajetë janë gjetur në një klub nate në qytetin e East London në Afrikën Jugore, kanë bërë të ditur nga policia.

Brigadieri Tembinkosi Kinana tha se policia u lajmërua nga kalimtarët e rastit afër vendit të ngjarjes në Scenery Park, vend i cili gjendet rreth 3 kilometra nga qendra e qytetit.

“Po hetohen rrethanat të cilat quan deri në vdekjen e tyre 22 personave” tha Kinana për agjencinë e lajmeve Reuters, duke shtuar se është shumë herët për të përcaktuar shkakun e vdekjes së të rinjve, mosha e të cilëve ishte prej 18 deri në 20 vjet.

Televizioni lokal shfaqi pamjet ku oficerët e policisë shiheshin duke u munduar të qetësonin një turmë njerëzish, të mbledhur jashtë klubit në qytetin i cili shtrihet në bregun e Oqeanit Indian, rreth 1,000 kilometra larg kryeqytetit Johannesburg.

Zyrtari i departamentit për komunitet dhe siguri i Kepit Lindor Unathi Binqose, duke folur nga vendi i ngjarjes e përjashtoi ikjen nga ndonjë rrëmujë si shkak të vdekjes.

“Është e vështirë të besohet se ikja nga ndonjë rrëmujë është shkaktare e vdekjes së tyre, pasi që nuk u pa ndonjë plagë e hapur tek trupat e tyre”, tha Binqose për agjencinë e lajmeve AFP në një bisedë telefonike.

“Prindërit e të vdekurve janë mbledhur afër tavernës, dhe duan të futen brenda që t’i shohin trupat e fëmijëve të tyre”, shtoi Binqose.

/Telegrafi/

Read Previous

Kadetët e FSK-së në stërvitje me ushtarët e NATO-s

Read Next

Shqipëria, vendi me nivelin më të lartë në rajon për abortet