GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24-orësh për ngjarjet kriminale dhe incidentet e evidentuara në rajone të ndryshme të vendit, ku spikasin një rast i vrasjes në tentativë në Prizren, disa raste të dhunës në familje, armëmbajtje pa leje dhe posedim narkotikësh.
Sipas raportit policor, në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, një person është arrestuar nën dyshimin se ka therur me thikë një qytetar pas një konflikti. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është ndaluar me vendim të prokurorit.
Në Prishtinë, policia arrestoi një person pasi gjatë kontrollit iu gjetën rreth pesë gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Një tjetër incident u raportua në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku një person dyshohet se ka kanosur një qytetar tjetër. Gjatë ndërhyrjes policore është sekuestruar një armë me leje dhe 45 fishekë.
Rastet e dhunës në familje vazhdojnë të mbesin shqetësuese. Ngjarje të tilla janë raportuar në Prishtinë, Rahovec dhe Zubin Potok, ku personat e përfshirë janë intervistuar nga policia dhe rastet janë proceduar sipas vendimeve të prokurorisë.
Në Podujevë është raportuar një vjedhje e rëndë në një fabrikë, ku hajnat kanë marrë para të gatshme, një armë dhe një kasafortë. Ndërsa në Gjakovë, persona të panjohur kanë depërtuar në një shtëpi private dhe kanë vjedhur para, stoli ari, telefon mobil dhe dokumente personale.
Po ashtu, policia ka raportuar raste të armëmbajtjes pa leje në Prizren dhe Gjakovë, ku janë sekuestruar armë të zjarrit, fishekë dhe mjete të mprehta.
Në rajonin e Gjilanit është arrestuar një person për sulm ndaj zyrtarit policor, ndërsa në Kaçanik po hetohet një rast i shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm pasi një plumb goditi xhamin e një veture.
Ndërkohë, Policia Kufitare ka ndaluar një shtetas të Maqedonisë së Veriut për kalim ilegal të kufirit në Han të Elezit, si dhe ka evidentuar një rast të transportit ilegal të kafshëve në Gjilan, ku janë konfiskuar 13 qengja pa dokumentacion përkatës. /RTKlive