Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me therjen me thikë që ka ndodhur mbrëmë në Pejë, në orët e mbrëmjes.
Në raportin 24 orësh të Policisë thuhet se viktima është gjetur i shtrirë në oborrin e shtëpisë, i gjakosur në kokë dhe trup dhe pa vetëdije.
Të dyshuarit tashmë janë identifikuar, derisa po vazhdon kërkimi i tyre.
“VRASJE E RËNDË NË TENTATIVË – Pejë 12.07.2024-19:30. Raportohet se viktima mashkull kosovar, është gjetur i shtrirë në oborrin e shtëpisë i gjakosur në kokë, trup dhe pa vetëdije. Autoambulanca ka dalë në vend ngjarje dhe viktima është transportuar në spitalin e Pejës e më pas për shkak të gjendjes serioze është transportuar në QKUK. Të dyshuarit janë në arrati, por janë identifikuar nga policia dhe vazhdon kërkimi i tyre. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.
Policia në kërkim të dy të dyshuarve
Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e dy të dyshuarve për plagosjen e së premtes në Pejë.
Personat e kërkuar janë Adem (Lulzim) Bulliqi i lindur më 18.10.1998 në Pejë dhe Besnik (Lulzim) Bulliqi i lindur më 31.03.1993 në Pejë.
Tё pandehurit kërkohen për veprën penale: “Vrasje e rëndë në tentativë” e cila ka ndodhur me të premten, rreth orës 19:20, nё rrugën “Jeton Dedushaj” nё Pejё.
Policia thekson tutje se të dyshuarit posedojnё mjete tё rrezikshme me vete dhe paraqesin rrezik.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor. Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës: 192 dhe 080019999 (pa pagesë)”, thotë Policia e Pejës.
Lidhur me rastin, janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikqi, ka deklaruar se viktima për shkak të gjendjes së rëndë është dërguar për në QKUK.
“Një person është plagosur me thikë, për këtë cështje menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes policia dhe prokurori i Krimeve të Rënda. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK për shkak të gjendjes së rëndë, ndërkaq është duke u bërë përpjekje maksimale për arrestimin e personit të dyshuar. Në vendin e ngjarjes janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme” tha Nikçi.
Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë për Reporteri.net se përleshja ka ndodhur në rrugën “Jeton Dedushaj”. Ai ka thënë se bëhet fjalë për disa të dyshuar dhe se të njëjtit janë të njohur për Policinë.
“Në orën 19:30, në rrugën “Jeton Dedushaj” ka ndodhur një përleshje, gjatë përleshjes, një person është therur me thikë, i lënduari është dërguar në emergjencën e spitalit rajonal. Të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur, policia është në kërkim të tyre dhe janë të njohur të dyshuarit, ekipet janë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Gashi. /Reporteri.net/