Tetë persona, pesë burra dhe tri gra kanë marrë lëndime trupore si pasojë e aksidentit që u regjistrua më 11.10.2024 në Veternik.
Policia ka njoftuar se aksidenti ndodhi mes një kamioni dhe shtatë veturave të tjera. KALLXO.com ka publikuar edhe pamje të aksidentit të cilat tregojnë se si kamioni humb drejtimin dhe futet në korsinë e kundërt të rrugës në Veternik.
Në anën tjetër policia ka thënë edhe se të lënduarit pasi kanë marrë trajtimin mjekësor janë liruar për mjekim shtëpiak.
Përveç lëndimeve gjatë aksidentit janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale.
Shoferi i kamionit është arrestuar dhe i njëjti është intervistuar.
Për ngjarjen është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Me vendim të prokurorit vozitësi në cilësinë e të dyshuarit është dërguar në mbajtje.
Deri më tani nuk ka diçka zyrtare se cili ishte shkaku i humbjes së kontrollit të kamionit i cili shkaktoi aksidentin. /Kallxo.com