Policia e Kosovës konfiskon mbi 6 kilogramë narkotikë, arreston dy persona

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar mbi 6 kilogramë substanca narkotike të llojit heroinë dhe kokainë, në dy raste të ndara, me ç’rast ka arrestuar dy persona.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një komunikate për media, të enjten, ku theksohet se në rastin e parë është identifikuar një shtetas të Maqedonisë Veriore, i cili dyshohej se kishte në posedim të gatshëm për shitje një sasi të heroinës.

“Të dyshuarit të lartcekur me veturë substancën e dyshuar narkotike ia kanë sjellë dy persona tjerë, të cilët janë larguar me veturë nga vendi i ngjarjes”.

Policia, njoftoi se “tek personi i dyshuar janë gjetur 6 (gjashtë) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë (6 kilogramë e 137 gramë), ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro)”.

Po ashtu, theksohet se janë sekuestruar edhe dy telefona, një veturë dhe 4305 denarë.

Personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë, ndërsa dy personat e tjerë janë në kërkim policor.

Në rastin e dytë, PK-ja, ka ndaluar për kontroll një veturë, ku ka gjetur një pako të cigareve “në brendi të së cilës ka qenë një qese najloni me substancë të dyshuar si e llojit kokainë”.

Nën dyshimet se mund të gjendet edhe ndonjë sasi tjetër e substancave narkotike është kontrolluar një shtëpi banimi në Ferizaj, ku jeton i dyshuari, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar.

Tutje, thuhet se janë sekuestruar një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme mbi 38 gramë, vlera e së cilës vlerësohet të jetë rreth 3 mijë e 500 euro.

Përpos kësaj, u konfiskuan edhe para në monedhë letre 50 euro dhe 1500 kruna suedeze.

I dyshuari pas intervistimit është ndaluar për 48 orë. /Albanianpost.com

Read Previous

“Trepça” largon përkohësisht nga puna edhe tre puntorë tjerë

Read Next

Legia ka epitetin e favoritit, Drita kërkon të dëshmohet në fushë