Policia e Kosovës gjatë sezonit turistik do të patrullojë edhe në Shqipëri

Gjatë sezonit turistik të vitit 2025, Policia e Kosovës do të patrullojë në Shqipëri në kuadër të një bashkëpunimi ndërinstitucional. Shërbimet e përbashkëta të patrullimit do të nisin më 1 korrik 2025, me synim rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të të dy vendeve.

Për këtë sot është firmosur Memorandumi i Bashkëpunimit për shërbime të përbashkëta të policimit rrugor në Shqipëri, gjatë sezonit turistik 2025. Memorandumi u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, si një tjetër dëshmi e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet dy institucioneve.

“Në kuadër të sezonit turistik veror dhe fluksit të shtuar të shtetasve dhe mjeteve nga Kosova, u firmos Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në territorin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në komunikatë.

Shërbimet e përbashkëta do të kenë si objektiva: Parandalimin e shkeljeve dhe aksidenteve rrugore; Menaxhimin e trafikut në akset kryesore që lidhin të dy shtetet, shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e policimit rrugor.

Drejtori Proda vlerësoi praninë e kolegëve nga Kosova si një ndihmë të çmuar dhe një simbol krenarie për harmoninë dhe koordinimin mes dy policive, jo vetëm në fushën e sigurisë rrugore, por edhe në luftën e përbashkët kundër krimit dhe paligjshmërisë.

Nga ana e tij, Kolonel Hoxha u shpreh se efektivët e Policisë së Kosovës janë të nderuar për mundësinë që t’u shërbejnë qytetarëve krah kolegëve të Policisë shqiptare, dhe se do të angazhohen maksimalisht për përmbushjen e objektivave të këtij memorandumi.

Shërbimet e përbashkëta nisin nga data 1 korrik 2025. /RTKlive

Read Previous

Kosova ndalon importin e gjedheve dhe nënproduktit të tyre nga Italia

Read Next

Arrestohen tre zyrtarë policorë që dyshohen se e rrahën një person në Klinë