Policia arreston dy të dyshuar për vrasjen e gruas në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona lidhur me vrasjen e një gruaje që ka ndodhur të mërkurën, më 29 nëntor, në Prishtinë. Mësohet se njëri nga të arrestuarit është Naim Murseli – bashkëshorti i viktimës Liridone Ademaj-Murseli.

Në njoftimin e Policisë thuhet se pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e vrasjes.

“Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Policia në njoftimin e saj ka konfirmuar se me datën 29.11.2023, rreth orës 20:20, ka pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

“Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri”.

“Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Mediat kanë raportuar se njëri nga personat e arrestuar është Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, i cili ka qenë këshilltar i ish-presidentit Behgjet Pacolli.

Liridone Ademaj – Murseli, e cila dyshohet se është vrarë nga grabitësit në Prishtinë, është varrosur sot në Cërmjan të Gjakovës.

Liridona Murseli, rreth 30-vjeçare, u vra të mërkurën mbrëma gjatë një grabitjeje të armatosur, ndërsa bashkëshorti i saj me fëmijët kanë arritur që të ikin nga vetura.

/Telegrafi/

Read Previous

U varros gruaja që dyshohet se u vra nga grabitësit

Read Next

Blinken thotë se ShBA mbetet e fokusuar për lirimin e pengjeve