Djegia e mbeturinave në lagjen “Ali Ibra” e ashtu quajtur Kolonia ndodh tash e sa vjet dhe disa herë në vit. Këtë e dëshmojnë edhe pamjet e filmuara vit pas viti nga medium ynë. Të djegura ose të pa djegura gjithë kjo sasi e madhe e mbeturinave që është mbledhur këtu padyshim që përbën rrezik për shëndetin publik të qytetarëve të Gjakovës. Ajo që duket edhe përmes pamjeve të filmuara sot këtu është një mal me mbeturina. Banorët e kësaj lagje vazhdojnë të shprehin shqetësimet e tyre për situatën që është këtu. Kjo deponi e mbeturinave është një problem që prej vitesh nuk po gjen zgjidhje. Banorët thonë se vit pas viti kanë drejtuar ankesa dhe kërkesa në institucionet lokale dhe qendrore por që deri më tani ato nuk janë realizuar.
Podrimja tha se këto mbeturina jo vetëm që shkaktojnë dëm të pariparueshëm për shëndetin e tyre, por jeta u është bërë e padurueshme.
Qeveritë shkojnë e vijnë por mbeturinat këtu as nuk hiqen e as nuk zgjidhet problemi i tyre. Andaj kërkesa e vetme e banorëve të këtushëm është që bëhet pastrimi i kësaj pjese dhe njëherë e mirë të jetojnë në një mjedis të pastër dhe jo të ndihen të rrezikuar nga ndotja ekologjike. Ata mbesin me shpresën se pas shumë e shumë dekadash kërkesat e tyre të mos bien në vesh të shurdhër.