Pochettino: Broja është një nga sulmuesit e rinj me potencialin më të madh në Evropë

Një profesionist duhet të thotë gjithmonë të vërtetën. Ky është detyrim për një trajner futbolli, edhe pse ai duhet ta përkrahë lojtarin e tij. Kështu bën edhe Mauricio Pochettino me Armando Brojën, me anë të një analize teknike dhe psikologjike pasi sulmuesi shqiptar shënoi në ndeshjen e parë të vitit për “Blutë” e Chelsea.

“Ylli” 22-vjeçar realizoi një gol tepër të rëndësishme për ekipin në FA Cup, duke e ndihmuar në kualifimin ndaj Preston, por gjithashtu edhe për vetveten. Ishte rrjeta e dytë në një sezon tepër të vështirë për shkak të dëmtimit e konkurrencës, ndërsa fati I tij mbetet I paqartë, mes fanelës blu dhe transferimit diku tjetër, megjithatë tekniku Maurizio Pochettino pati disa këshilla për sulmuesin kuqezi.

“Goli ishte i rëndësishëm për të. Gjithsesi, dua të jem i ndershëm. Ai duhet ta shfrytëzojë këtë hap, këtë gol që shënoi, për t’u përmirësuar. Ai duhet të përmirësohet jo vetëm në aspektin e formës, apo të shënimit të golave, por duhet të përmirësojë edhe atë që quhet “gjuha e trupit”. Ai duhet të hedhë hapa të tjerë, duhet të buzëqeshë më shumë, të jetë më shumë pozitiv. Potenciali i  tij është i mahnitshëm. Ne po flasim për një nga sulmuesit e rinj me potencialin më të madh në Angli dhe në Evropë. Ai duhet të bëjë një sforco. Ne do ta ndihmojmë që ta kuptojë që të mos kënaqet asnjëherë”,- tha argjentinasi.

Megjithatë, Pochettino, edhe e mirëkupton Brojën dhe e nxit për të shkuar në nivel më të lartë.

“Gjithsesi, duhet të them se ai po vuan dëmtimin e madh që pati në të kaluarën. Ishte gati një vit jashtë fushe, dhe është e qartë që ai ka nevojë për kohë. Nuk është e lehtë për të që të jetë në atë nivel që ne kërkojmë. Pritshmëria jonë ndaj tij është shumë e madhe dhe ne do ta nxisim që të ngjitet më lart”,- u shpreh tekniku i “Londinezwve”

Nuk është e qartë nëse goli dhe paraqitja në Kupë do ta ndihmojnë Brojën që të mbetet pjesë e Chelsea. Pavarësisht nga vlerësimi i trajnerit se ai është një nga sulmuesit me potencialin më të madh në Evropë, tregu i futbollit është gjithmonë i paparashikueshëm. /i.m /abcnews.al

Read Previous

Papa Francesku thirrje për paqe: Duhet armëpushim në të gjitha frontet

Read Next

Efekti i liberalizimit – brenda një jave 620 fluturime u realizuan nga Aeroporti i Prishtinës