Miralem Pjanic mund të jetë një bast i fituar për Xavi Hernandez-in. Boshnjaku është pjesë e skuadrës për fazën parasezonale dhe deri më tani performanca e tij ka qenë bindëse.
Deri kohët e fundit dukej sikur e ardhmja e Pjanic ishte larg “Camp Nou”, por kjo mund të mos jetë më kështu.
Klubi e sheh para-sezonin si një provë për ish-mesfushorin e Juventus-it dhe kjo është arsyeja pse ai është marrë në turneun e tyre parasezonal në Shtetet e Bashkuara.
Deri më tani gjërat kanë shkuar mirë për mesfushorin dhe Xavi ishte plot lëvdata për Pjanic pas ndeshjes kundër Juventus-it.
“Ai ka vizion unik të lojës”, tha Xavi, duke shtuar se “Aftësia e tij teknike është e jashtëzakonshme”.
Edhe dëshira e vetë lojtarit është të qëndrojë në “Camp Nou”, pasi ai është i vendosur që të paktën të ketë mundësinë t’i tregojë Xavit se çfarë mund të ofrojë.
Asgjë nuk është vendosur ende. E vetmja gjë që është e sigurt është se Pjanic ka oferta në tavolinë. Por Xavi është befasuar për mirë nga ajo që ka parë deri më tani këtë verë. /Albanianpost.com