Pirro Vengu pret Bashkim Jasharin: Shqipëria krah Kosovës për garantimin e stabilitetit në rajon

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu priti në një takim zyrtar komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe shefi i Shtabit të përgjithshëm të FA gjenerallejtënant Arben Kingji ku u diskutua mbi bashkëpunimin strategjik dhe vëllazëror ndërmjet dy vendeve tona në fushën e mbrojtjes.

Ky bashkëpunim konsiderohet një faktor stabiliteti për rajonin dhe një orientim i qartë drejt integrimit euroatlantik.

Ministri Vengu konfirmoi përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në nisma rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë Kartën e Adriatikut (US-A5).

Ndër të tjera, u diskutua edhe rreth situatës së brishtë të sigurisë në rajon, ku u dënuan sulmet terroriste dhe kriminale në veri të Kosovës, si dhe tensionet në Bosnje Hercegovinë.

“Shqipëria do të mbetet gjithmonë krah Kosovës për të garantuar siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”, theksoi Vengu.

Po ashtu, ministri theksoi qëndrimin e Shqipërisë se misioni i NATO, KFOR, është garanti për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës./tvklan.al

Read Previous

Maqedonci: Partitë opozitare duhet të reflektojnë

Read Next

AKB: Protestat janë të pashmangshme, nuk mund ta pranojmë këtë padrejtësi energjetike