Piloti izraelit që sulmoi Iranin: Prisnim një mbrojtje ajrore më të fortë

Në një intervistë për gazetën Haaretz, një pilot i Forcave Ajrore Izraelite (IAF), i identifikuar si Major N., ka rrëfyer për herë të parë përfshirjen e tij në sulmet ajrore kundër Iranit, duke e përshkruar operacionin si kulmin e përgatitjeve shumëvjeçare dhe një “ëndërr që dikur dukej e pamundur”, shkruan Gazeta Sinjali.

Major N., 31 vjeç, i martuar dhe baba i një vajze, tha se për vite me radhë, IAF-ja ka trajnuar skenarë të ndryshëm për një ofensivë ndaj Iranit dhe se sulmet aktuale janë rezultat i një koordinimi të jashtëzakonshëm mes njësive ushtarake dhe agjencive të inteligjencës izraelite.

“Niveli i informacionit që marrim është i pabesueshëm. Ne ishim të përgatitur për një mbrojtje shumë më të fortë nga ajo që hasëm në Iran,” tha ai, duke shtuar se megjithatë ushtria iraniane mbetet një forcë serioze dhe duhet trajtuar me kujdes.

Piloti përshkroi se kur avionët e IAF-së fluturonin mbi territorin iranian, hasën avionë luftarakë iranianë në ajër, por shumica e tyre u tërhoqën, duke shmangur konfrontimin e drejtpërdrejtë. Ai shtoi se “betejat ajrore janë ëndrra e çdo piloti”, por theksoi edhe rëndësinë e misionit strategjik: goditja e infrastrukturës ushtarake që rrezikon civilët izraelitë.

“Çdo raketë që ne shkatërrojmë, është një më pak që mund të godasë qytetarët tanë,” theksoi ai, duke vënë në dukje se IAF ka operuar pa ndërprerje me fluturime nga 3 deri në 5 orë në një distancë mbi 1,500 kilometra.

Major N. vlerësoi faktin që, ndryshe nga luftërat me organizata terroriste që veprojnë mes civilëve, ofensiva ndaj një ushtrie shtetërore si ajo e Iranit u zhvillua në një kontekst më të qartë dhe të drejtpërdrejtë, duke minimizuar rrezikun për popullsinë e pafajshme.

Në fund, ai e mbylli rrëfimin me një mesazh të fuqishëm: “Për ne, 7 tetori ishte një pikë e ulët dhe e dhimbshme. Edhe pse sot jemi në një fazë tjetër të luftës, asnjë prej nesh nuk i harron pengjet që ndodhen ende në Gaza. Do të bëjmë gjithçka për t’i kthyer në shtëpi”.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Samiti i G7 përfundon pa unitet për Ukrainën

Read Next

Shtatë punët më të rrezikshme në botë