Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe një tjetër u plagos rëndë, është pezulluar nga detyra drejtori i Policisë së Qarkut Durrës, Afrim Tafa.
Në vend të tij është caktuar përkohësisht Ervin Hodaj.
Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në zbatim të rregullores, duke argumentuar “performancë të dobët në përmbushjen e detyrave”.
Po ashtu, janë pezulluar edhe:
- Zëvendës drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike në DVP Durrës, Zija Sulaj;
- Shefi i Sektorit të Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.
Menjëherë pas ngjarjes, është ngritur një grup ekspertësh nga Policia Rrugore për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për të vlerësuar përgjegjësitë e mundshme të punonjësve të policisë.
Aksidenti tragjik
Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës, rreth orës 14:20, në lagjen nr. 15 në Durrës.
Sipas Policisë së Shtetit, një automjet i drejtuar nga Nikoll Radaçi përplasi tre fëmijë rreth 10 vjeç.
Si pasojë, dy prej tyre humbën jetën, ndërsa i treti u transportua në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Reagime të forta publike dhe politike
Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga drejtuesit më të lartë të shtetit.
Presidenti Bajram Begaj u shpreh i tronditur thellë dhe u dërgoi ngushëllime familjarëve, duke bërë thirrje për rritjen e sigurisë rrugore dhe hetim të plotë.
Edhe kryeministri Edi Rama reagoi, duke shprehur dhimbjen për humbjen e jetëve të fëmijëve dhe duke u lutur për shërimin e të plagosurit.
Nga ana tjetër, deputeti Taulant Balla përdori tone të ashpra, duke e cilësuar ngjarjen “përtej një aksidenti”, ndërsa deputetja Jorida Tabaku ngriti shqetësimin për mënyrën e raportimit mediatik, duke e cilësuar të papranueshëm transmetimin pa filtër të pamjeve të rënda.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, e cila e cilësoi publikimin e pamjeve si shkelje të rëndë të etikës dhe abuzim me dhimbjen njerëzore. /Albanianpost.com