Pezullohen tre deputetë pas protestës me “haka” në Parlamentin e Zelandës së Re

Tre deputetë nga Partia Maori në Zelandën e Re janë pezulluar përkohësisht nga Parlamenti, pasi protestuan brenda sallës ligjvënëse duke performuar vallen tradicionale “haka” – në një veprim simbolik që ka bërë xhiron e botës.

Debbie Ngarewa-Packer, Rawiri Waititi dhe Hana-Rawhiti Maipi-Clarke u përballën me masa disiplinore pas protestës së tyre gjatë një seance në nëntor të vitit të kaluar, teksa po shqyrtohej Projektligji i Parimeve të Traktatit të Waitangit. Deputetja Maipi-Clarke shkoi edhe më tej, duke grisur një kopje të projektligjit përpara gjithë sallës.

Sipas The Guardian, videoja e protestës u bë virale në rrjetet sociale, duke grumbulluar qindra miliona shikime globalisht dhe duke ndezur debat për të drejtat e komunitetit Maori.

Projektligji, i propozuar nga Partia e Aktit – pjesë e koalicionit qeverisës, kishte nxitur reagime të ashpra në vend, duke u parë si tentativë për të minuar parimet themelore të Traktatit të Waitangit, dokumentit themeltar të marrëdhënieve mes Kurorës Britanike dhe popullit Maori.

Pavarësisht se projektligji u rrëzua në prill, komiteti i privilegjeve të Parlamentit publikoi këtë javë një raport ku theksohej: “Performanca e tyre kishte ndërprerë procesin parlamentar dhe kishte potencialisht frikësuar ligjvënës të tjerë.”

Ngarewa-Packer dhe Waititi do të pezullohen për tre javë, ndërsa Maipi-Clarke për shtatë ditë. Komiteti shtoi se edhe pse haka është përdorur më parë në Parlament, “mënyra dhe momenti i kësaj proteste e bënte atë ‘çështje serioze’ për institucionin legjislativ.”

/GazetaSinjali/

Read Previous

Barcelona kërkon titullin sonte

Read Next

Dështon edhe tentimi i 16-të për konstituimin e Kuvendit