Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për Ekonomia Online se e mirëpresin pezullimin e nenit nga Gjykata Kushtetuese që parasheh faljen e 100 eurove të tatimit në pronë.
Sipas tij, ky nen do të shkaktonte shkurtim të buxhetit deri në 30 milionë euro për komunat. Ibrahimi ka përmendur edhe shkeljet tjera që janë konstatuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës ka besim të plotë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe ndarjen e drejtësisë. Neve për këtë arsye kemi menduar që një lëndë të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese sa i përket tendencës të nivelit qendror për shkurtimin e buxheteve të komunave të Republikës së Kosovës dhe në bazë të analizave që posedojmë si asociacion ai shkurtim do të ishte rreth 30 milionë euro”, u shpreh ai.
Sipas tij, niveli qendror po ndërhyn në kompetencat vetanake të komunave. Për këtë arsye ata po presin një vendim pro-komunave nga Gjykata Kushtetuese.
“Neve e kemi mirëpritur një vendim të tillë, për shqiptimin e masës së përkohshme dhe po besojmë që një vendim final do të jetë pro komunave dhe i kemi argumentet tona se niveli qendror ka ndërmarr masa sa i përket ndërhyrjes në kompetenca komunale mirëpo edhe sa i përket shkurtimeve të buxheteve komunale”.
“Nuk është hera e parë që niveli qendror ndërhyn në kompetencat vetanake të komunave, e kemi rastin paraprak sa i përket Ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e cila ka ndërhyrë në mënyrë flagrant në kompetencat e komunës së Kamenicës dhe e dim se çfarë ka thënë Gjykata Kushtetuese. Ne e mirëpresim çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe po besojmë që gjatë muajit nëntor vendimi final do të jetë pro komunave”.
Ibrahimi, u shpreh se komunat që kanë marrë vendim për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë nuk do mund ta zbatojnë sepse ky vendim duhet të pezullohet deri në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese.
“Sipas informatave që kemi komunat të cilat kanë marrë një vendim të tillë nuk mund ta zbatojnë sepse Gjykata Kushtuese thotë se duhet të pezullohet neni i cili prek buxhetet e komunave deri në një vendim final të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Ibrahimi. /EO