Pesë të arrestuarve në rastin “Reçaku ll” u caktohet nga një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit pesë të pandehurve për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, lidhur me rastin e njohur si “Reçaku ll”.

Gjykata njofton se paraburgimi për të pandehurit u caktua pas mbajtjes së seancës dëgjimore.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve N.P., S.J., B.P., S.M. dhe S.S., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se gjykata ka vlerësuar se nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë, andaj konstatoi se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë, për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale, në këtë çështje penale.

“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale, po ashtu duke marr parasysh se të gjithë të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen lehtë dhe të jenë të pa arritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pa mundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, vazhdon njoftimi.

Të dielën në një operacion policor të zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës u arrestuan pesë persona në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Reçaku II”.

Prokuroria në një konferencë për media të dielen, ka bërë të ditur se të arrestuarit dyshohet se si pjesëtarë të formacioneve policore serbe morën pjesë në masakrën e Reçakut më 15 janar të vitit 1999.

Sipas Prokurorisë katër prej të arrestuarve janë ish-pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, tashmë në pension, ndërsa njëri dyshohet se ishte mobilizuar në formacionet policore serbe gjatë luftës në Kosovë. /Anadolu Agency/

Read Previous

Pushimet për hidratim në Botëror, kush fiton e kush humb nga kjo praktikë?

Read Next

Italia shpreh gatishmëri për t’iu bashkuar pranisë detare ndërkombëtare në Ngushticën e Hormuzit