Pesë gazetarë nga Afganistani do të strehohen në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin për strehimin e pesë gazetarëve nga Afganistani në Kosovë.

Gjithashtu ka ndarë edhe 30 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të tyre.

Zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti duke paraqitur propozim-vendimin për aprovim tha se kjo do t’i shërbej ushtrimit të lirë të profesionit të tyre në Kosovë.

“Në kuadër të bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me Federatën Evropiane të Gazetarëve dhe Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediat  dhe qëndrimin e Republikës së Kosovës për solidarizimin me të drejtën e gazetarëve nga Afganistani për ushtrimin e profesionit të tyre në mënyrë të pavarur, të lirë dhe të sigurt dhe vullnetin për t’ju ofruar strehim MPJD paraqet propozim vendimin për strehim dhe ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 30 mijë euro për pranimin e 5 gazetarëve nga Afganistani. Këto mjete do të mbulojnë shpenzimet për periudhën e mbetur të vitit 2022” , ka thënë Ahmeti.

Ai ka shtuar se përzgjedhja e gazetarëve do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediat  në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës. /Telegrafi/

Read Previous

Osmani viziton Komandën e Forcave Tokësore: Sfidat do të rriten, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse është domosdoshmëri

Read Next

Katër të arrestuar nën dyshimin për organizim të skemave piramidale