Policia e Kosovës ka raportuar dy tentativa për kalim të kufirit me dokumente të falsifikuara në 24 orët e fundit.
Sipas Policisë, rasti i parë ka ndodhur në pikën e Dheut të Bardhë, ku një familje me katër fëmijë kanë prezantuar dokumente të falsifikuara, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“I dyshuari dhe e dyshuara kosovar/e, të cilët ishte duke udhëtuar në linjën Prishtinë – Gjenevë, për vete dhe për katër fëmijët e tyre të mitur kanë prezantuar dokumente-pasaporta të Republikës së Maqedonisë Veriore të cilat dyshohet se janë të falsifikuara, pasi që të njëjtit kanë prezantuar edhe dokumente shtesë identifikimi të Republikës së Kosovës. Me vendim të prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, edhe në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, një i dyshuar prezantoi pasaportë të falsifikuar, e cila është sekuestruar nga policia.
“I dyshuari mashkull kosovar i cilët ishte duke udhëtuar në linjën Prishtinë – Bazel, ka prezantuar pasaportë të shtetit të huaj e cilat dyshohet se është falsifikuar, pasaporta është sekuestruar për ekzaminim dhe procedura të mëtutjeshme hetimore. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i cili ka rekomanduar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, bën të ditur njoftimi. /Reporteri.net/.