Reshjet e ditëve të fundit në Veri të vendit kanë përmirësuar disi situatën hidrike në kaskadën e Drinit ku nivelet e liqeneve të tre hidrocentraleve kanë pësuar rritje. Në raport me situatën para reshjeve Fierza është rritur afërsisht me dy metra ndërsa rritja në Koman shkon në afërsisht 1 metër dhe në Vaun e Dejës kjo rritje është më modeste. Pavarësisht këtyre ndryshimeve pozitive Fierza vijon për të nëntin muaj të mbetet nën mesataren historike e cila për shtatorin është 275.5 metra.
Por cilat janë të dhënat e kësaj të hëne në kaskadën e Drinit?
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare raportoi se nivelet e liqeneve në kaskadën e Drinit janë respektivisht: Fierzë 269.48 metra, Koman 169.64 metra, Vau Dejës 73.46 metra. Prurjet natyrore në kaskadë janë : Në Fierzë 120 m3/s,HEC Koman 130 m3/s, HEC Vau i Dejës 10 m3/s
Prodhimi ditor në të tre HEC-et është : 14.760 MWh (ditor). Kjo sasi energjie është pak më shumë se 2/3 e nevojës për konsum në vend ndërkohë që falë përmirësimit të lehtë të situatës hidrike në kaskadë është rritur edhe rezerva energjetike në 483 GWh nga 440 GWh që ishe para reshjeve.
KESH prej datës 11 shtator ka ndalur prodhimin nga HEC-i i Fierzës në një tentativë për të ruajtur rezervën energjetike në pritje të reshjeve ndërkohë që ka vijuar prodhimin në dy HEC-et e tjerë duke tentuar ulje të niveleve të tyre për të pritur sasinë e reshjeve në vazhdim. Kryesisht konsumi në vend po përballohet me prodhimin në kaskadën e Drinit si dhe kontratat e importit të KESH të nënshkruara më herët. Për herë të fundit KESH bleu energji për javën 12-18 shtator.
Aktualisht çmimet në Bursën Hungareze që shërben edhe si referencë për tregun shqiptar kanë pësuar një ulje graduale duke paraqitur një panoramë krejt tjetër me gushtin kur kishim edhe pikun e tyre. Ulja më e madhe edhe për shkak të rënies së kërkesës është shënuar të dielën kur 1 MWh energji në bazë u shit me 132 euro ndërkohë që këtë të hënë 1 MWh energji kushton 276 euro/MWh në bazë dhe 302 euro/MWh në pik./Monitor.al/