Përkujtohen 216 dëshmorët e komunës së Gjakovës

Për nder të 22 vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit komuna e Gjakovës së bashku me përfaqësues të OVL-UÇK-së dhe bashkëluftëtarë e familjarë kanë bërë homazhe pranë varreve e lapidarëve të tyre. Përpjekjet disashekullore të popullit shqiptar për liri dhe sakrifica më sublime e dëshmorëve i kanë dhënë vendit vlerën më madhështore, që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kjo që duhet të ruhet e të mbrohet nga gjithsecili. Kështu tha kryetari i komunës, Ardian Gjini gjatë homazheve që bëri pranë lapidarit të dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Nivokaz.

Nivokazi ka 13 dëshmorë dhe 12 martirë të cilët humbën jetën në luftën e fundit në Kosovës. Banorët e kësaj ane thanë se kushdo që mundohet të mohojë këtë vlerë nuk do të arrijë askund.

Në nderim të kësaj dite homazhe u bënë edhe në varrezat e dëshmorëve në fshatin Hereq.Me këtë rast bashkëluftëtarët thanë se krenaria për këta dëshmorë është më e madhe së dhimbja.

Përkulje e nderime janë bërë edhe në kompleksin memorial të dëshmorëve në fshatin Shqiponjë si dhe në varrezat e dëshmorëve në fshatin Rogovë. Zonat si Reka e Keqe, Reka e Mirë, Dushkaja e Hasi i dhanë shumë luftës për liri dhe pavarësinë e Kosovës është thënë me këtë rast. Përndryshe komuna e Gjakovës ka 216 dëshmorë, në këtë qytet gjithmonë ka jehuar fryma liridashëse, aspirata dhe vullneti për liri.

Read Previous

QKMF bëhet me aparaturë të re për testet Covid-19

Read Next

​Sot është ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut