“Pelè”, pseudonimi i ish-futbollistit legjendar, bëhet pjesë e fjalorit “Michaelis”, një nga më të përhapurit e gjuhës portugeze në Brazil. Versioni i shkurtër i emrit të Edson Arantes do Nascimento, i cili vdiq dhjetorin e kaluar në moshën 82-vjeçare, tashmë përdorej në gjuhën e folur si sinonim për të jashtëzakonshmen, por tani e tutje ai mund të përdoret zyrtarisht nga më shumë se 265 milionë folësit e portugalishtes si gjuhë.
“Shprehja ishte përdorur tashmë për të treguar ‘më të mirin në fushën e tij’, por tani e gjen përjetësinë në faqet e fjalorit”, – festoi ‘Fondacioni Pelè’ me një mesazh në Instagram. Përkufizimi i fjalës “Pelè”, i futur në “Michaelis” si mbiemër, është sinonim i “të jashtëzakonshmit, të pakrahasueshmit, unikut”. Në versionin online të fjalorit lexojmë se “Pelè është diçka ose dikush jashtë zakonit, diçka ose dikush…, cilësia, vlera ose epërsia e të cilit nuk mund të barazohet me asgjë ose askënd.
Ashtu si Pele, pseudonimi i Edson Arantes do Nascimento (1940-2022), sot konsiderohet si sportisti më i madh i të gjitha kohërave”. “Michaelis” jep edhe disa shembuj të përdorimit të kësaj fjale të re tashmë: “Ai është Pele i basketbollit; ai është Pele i kinemasë dramatike braziliane; ai është Pele i mjekësisë”.
Kërkesa nga “Fondacioni Pelé” – Që nga e enjtja e kaluar, “Fondacioni Pelé” kishte
promovuar një fushatë për përfshirjen e fjalës “Pelé” në fjalorin brazilian si sinonim i “madhështisë”, “i pakrahasueshëm” dhe “unik”. Kjo, në nderim të futbollistit legjendar brazilian, i cili u nda nga jeta më 29 dhjetor 2022.
Ky ishte përcaktimi i propozuar nga fondacioni që mban emrin e kampionit të trefishtë të botës, me të cilin “ne përpiqemi të përjetësojmë ‘O Rei’ me një fjalë nga fjalori, në këtë rast përmes një mbiemri të ri”:
- Më i madh se gjithë të tjerët.
- Referenca për madhështinë.
- I pashembullt.
- Sinonim i përsosmërisë.
- Unik.
Për ta bërë këtë, ata kishin hapur një faqe interneti për mbledhjen e firmave (pelenodicionario.com.br) në të cilën kishin vënë në dispozicion të publikut një formular dixhital, përmes të cilit mund të mbështesnin nismën.
“E gjithë bota e njeh dhe e nderon brazilianin më të mirë të të gjitha kohërave. Tani ka ardhur koha për të nderuar Pelé, duke përjetësuar ‘Mbretin’ me një fjalë nga fjalori. Identifikohu dhe bëhu pjesë e lëvizjes”, – i inkurajonte ndjekësit “Fondacioni Pelé” në rrjetet e tij sociale.
Fushata mbështetej nga Santos, klubi ku Pele kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij sportive, dhe “Globo”, grupi mediatik më i fuqishëm i Brazilit. Edson Arantes do Nascimento “Pelé”, i konsideruar nga shumëkush si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave, vdiq më 29 dhjetor në moshën 82-vjeçare nga dështimi i shumëfishtë i organeve për shkak të kancerit të zorrës së trashë, sëmundje nga e cila vuante prej një viti.