Peci: Për të zgjidhur situatën me targat në bisedime duhet të përfshihet edhe NATO-ja

(FOTO: KosovaPress)

Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi dhe drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, deklaroi të martën se për të gjetur zgjidhje për situatën aktuale për targat ilegale, në bisedimet në Bruksel duhet të përfshihet edhe NATO-ja.

Kjo pasi siç ka thënë, zgjidhja e çështjes së targave duke pasur parasysh paramilitarë të Serbisë në veri nuk ofron zgjidhje, por do të ishte vetëm iluzion.

Ai tutje është shprehur se tolerimi i Serbisë me paramilitarë dhe kërcënime ushtarake në veri të Kosovës, vetëm sa e dobëson kredibilitetin e NATO-s, dhe më së shumti i bënë shërbim Rusisë.

“Formimi dhe operimi i Brigadës së Veriut në veri të Kosovës, me ‘gjeneral Radojçicin’ në krye, të cilin në Kuvendin e Serbisë vetë Vuçiqi e glorifikonte, është shkelje blatante e Marrëveshjes së Kumanovës dhe vetë Rezolutës 1244”, ka shkruar Peci në llogarinë e tij në Facebook.

“Për të zgjidhur situatën e tanishme, në negociatat në Bruksel duhet të kyçet edhe NATO-ja, sepse zgjidhja e çështjes së targave duke pasur paramilitarë të Serbisë në veri, nuk ofron zgjidhje, por do të ishte vetëm një iluzion”.

Sipas tij, Kosova duhet të ketë në plan të parë sigurinë e qytetarëve në veri, “sidomos që deri më tani nuk ishte në gjendje t’i mbrojë ata që i konvertuan targat në RKS”.

“Kjo siguri, dhe me këtë edhe forcimi i rendit, ligjit e sovranitetit, nuk mund te arrihet pa plan të përbashkët më SHBA-në dhe BE-në”.

“Në fund edhe një gjë duhet ta kemi të qartë dhe atë që prezenca e KFOR-it nuk është në shërbim të agjendave ditore të Qeverisë së Kosovës, por për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Kur këto agjenda koincidojnë njëra me tjetrën, është dëshmuar se situatat janë zhvilluar në dobi të Kosovës”. /Telegrafi/

Read Previous

Moti ne Gjakovë – Parashikimi për 7 ditë

Read Next

Si do të funksionojë marrëveshja e OKB-së për klimën?