Peci: Jam i hapur për bashkëpunim, raportimet në media nuk i marr seriozisht

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar edhe një herë pas bastisjeve dhe intervistimit nga organet e drejtësisë në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në dhënien me qira të një fabrike për trajtimin e mbetjeve shtazore.

Peci ka thënë se nuk i merr seriozisht raportimet e mediave dhe se është i hapur për bashkëpunim me drejtësinë.

“Ajo çka raportohet në media, as që e marrë seriozisht, as të vërtetë. Është në interes të zbardhet çdo detaj për pretendimet që i ka drejtësia. Jam i hapur dhe bashkëpunues për krejt veprimet dhe për aq sa më ka takuar mua si ministër”, u shpreh ai para hyrjes në Kuvend të enjten.

Bastisjet dhe intervistimet e Prokurorisë Speciale janë pjesë e hetimeve që lidhen me një kontratë të nënshkruar për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore. Sipas marrëveshjes, kompania përfituese do të subvencionohet nga shteti për çdo kilogram të mbetjeve që trajton. Në fokus të hetimit është mënyra e dhënies së kontratës dhe përfitimet financiare që rrjedhin nga ajo. U intervistua edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha./Koha.net

Read Previous

Konfirmohet nga Policia e Kosovës aksioni i Njësisë së Krimeve Ekonomike në Gjakovë

Read Next

Rusia i propozon Ukrainës bisedime të reja në Stamboll