Peach: Mbretëria e Bashkuar është në ballë të luftës kundër aktiviteteve destabilizuese në Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, me shumë të drejtë ka spikatur përpjekjet malinje të Rusisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor përmes nxitjes së tensioneve, porse Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë për të siguruar që presidenti rus, Vladmir Putin, të mos jetë në gjendje të minojë më tej stabilitetin e rajonit dhe kontintentit të gjërë evropian.

Kështu ka thënë Përfaqësuesi Special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, i cili, derisa ka komentuar paralajmërimet e presidentit Zelenskyy, ka garantuar se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbetet në ballë të përpjekjeve për të luftuar aktivitetet destabilizuese në rajon, sikurse në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin diplomatik.

“Mbretëria e Bashkuar dhe unë kemi paralajmëruar për një kohë të gjatë se Rusia dëshiron të përkeqësojë dhe të shfrytëzojë tensionet në Ballkanin Perëndimor. Putini është i izoluar nga bota. Në vend që të mbështesë prosperitetin dhe stabilitetin e rajonit, ai përpiqet të parandalojë përparimin e rajonit dhe ta bëjë të pamundur zhvillimin e tij”, ka thënë Peach.

Nuk është sekret se Rusia ka kohë që po udhëheq një fushatë kundër kombeve të vogla ballkanike dhe shteteve perëndimore, në mënyrë që të zgjerojë fushëveprimin dhe të shtrijë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, por edhe të krijojë kushte që në pushtet të vijnë forcat pro-ruse dhe të provokojë trazira që do të prodhojnë destabilizimin e rajonit në të ardhmen.

“Ne e shohim qartë Rusinë duke përdorur taktika të njohura dhe tema të dobishme për të penguar përparimin dhe paqëndrueshmërinë e rajonit. Mbretëria e Bashkuar, politikisht dhe diplomatikisht, mbetet në ballë të përpjekjeve për të luftuar aktivitetet destabilizuese, përfshirë ato të mbështetura nga Rusia. Kjo nuk do të ndryshojë”, ka shtuar ai.

Rusia mund të krijojë kriza të reja në gadishullin ballkanik në mënyrë që të largojë vëmendjen e botës perëndimore nga lufta në Ukrainë, ka paralajmëruar presidenti ukrainas, derisa ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit Perëndimor – atje ku zhvillimet e fundit kanë dëshmuar se paqja në këtë rajon është akoma e brishtë. /Albanianpost.com

Read Previous

Sot bëhet rivarrimi i Liridona Ademajt

Read Next

Boksieri Flori Tarani fiton titullin Kampion i Kosovës 2023