Pas replikave të ashpra mes pozitës dhe opozitës, kryesuesja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci dha pauzë deri në ora 12:00.
Replika të ashpra erdhën pas deklaratës së ministres Donika Gërvalla dhe deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri lidhur me Gjykatën Speciale.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë sot se Gjykata Speciale nuk është instaluar nga Serbia, por është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë iu drejtua deputetëve të PDK-së “fajtor jeni ju”.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i ka replikuar ashpër ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Tahiri tha se Gërvalla është përfaqësuese e Serbisë në Kosovë dhe se është turpi i diplomacisë.
Më pas situata u tensionua edhe pas fjalimit të Arben Gashit, për çka LDK lëshoi seancën. /Telegrafi/