Qeveria e krahut të majtë të Spanjës ka vendosur t’i japë fund programit të vizave të arta për investitorët e pronave të vendeve të treta për të lehtësuar krizën e strehimit. Qëllimi është ndalimi i ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme, tha kryeministri Pedro Sanchez dje në Sevilje
“Ne do të marrim masat e nevojshme për të siguruar që strehimi të jetë një e drejtë dhe jo një çështje spekulimi,” shtoi ai. Kryeministri socialist tha se qeveria do të plotësonte amendamentin e nevojshëm të ligjit në Madrid, por nuk zbuloi se kur do të hynte në fuqi masa, raportoi Index.hr. Që nga viti 2013, programi i vizave të arta ka lejuar qytetarët e vendeve jo-anëtare të Bashkimit Evropian të marrin rezidencën në Spanjë nëse blejnë pasuri të paluajtshme me vlerë të paktën 500,000 euro. Programi i referohej edhe investimeve financiare prej të paktën një milion eurosh në kompani ose dy milionë në obligacione shtetërore. Programe të ngjashme u lansuan edhe në vendet e tjera anëtare të BE-së gjatë krizës së euros, të cilat u kritikuan kudo sepse konsiderohen si arsye për rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe mungesën e banesave të përballueshme, shkruan Dpa.
Sanchez tha dje se situata është veçanërisht e vështirë në qytete si Madridi, Barcelona, Malaga dhe Valencia, si dhe në Ishujt Balearik. Për shkak të kërkesës nga të huajt, është pothuajse e pamundur që banorët vendas që jetojnë, punojnë dhe paguajnë taksa të gjejnë strehim të mirë atje, tha Kryeministri. Sipas të dhënave zyrtare, Spanja ka lëshuar më shumë se pesë mijë viza të arta që nga viti 2013, nga të cilat dy mijë janë për shtetasit kinezë./AlsatM